Lidhje

Lidhja Demokratike fillon procedurën për zgjedhjet e reja në parti


Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe në vend, vendosi sot zyrtarisht dinamikën dhe kriteret e zgjedhjeve brenda kësaj partie, të parat që nga vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, i cili e drejtoi atë për vite të tëra me një autoritet të padiskutueshëm.

Ky proces duhet të fillojë më 7 shtator dhe të përfundojë më 7 nëntor për t'i hapur rrugën mbajtjes së kuvendit të përgjithshëm të partisë jo më larg se një muaj nga kjo datë.

Ky kuvend do të zgjedhë kryetarin e Lidhjes Demokratike, post ky që do të jetë mjaft i rëndësishëm jo vetëm për Lidhjen Demokratike, por në përgjithësi për zhvillimet politike në Kosovë. Presidenti Fatmir Sejdiu, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike nuk dëshironte të fliste sot për zgjedhjet e LDK-së, duke përsëritur qëndrimin e tij si president i vendit se viti 2006 do të jetë viti i përfundimit të procesit të statusit, që siç theksoi ai, do të jetë pavarësia e vendit.

Ish-kryetari i parlamentit Nexhat Daci, i cili ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të partisë, dukej i kënaqur me atë që ai e quan vazhdimësi të LDK-së në konceptet thelbësore. Zoti Daci tha se vendimarrja ishte e tillë që tregon LDK-ja ka qenë dhe do të jetë unike dhe nuk ka rrezik destabilizimi. Ai pohoi se fakti më i gëzueshëm është se nuk ka mënjanime nga programi dhe statusi i partisë.

Eqrem Kryeziu, nënkryetar i parë i Lidhjes Demokratike, i njohur si kundërshtar i zotit Daci pohoi se Këshilli I Përgjithshëm Drejtues i LDK-së kishte vendosur për dinamikën dhe kriteret e zgjedhjeve.

Ndryshimet në statut janë në debat e sipër, tha ai. Ali Lajci, është kandidati tjetër që ka shpallur kandidaturën për kryetar të partisë. Zoti Lajci i tha Zërit të Amerikës se Lidhja Demokratike ka diversitet të brendshëm, por hodhi poshtë çdo mundësi për ndarje të saj, apo krijim të fraksioneve.

Kryetari i LDK-së do të zgjidhet nga kuvendi i përgjithshëm me votë të fshehtë, nënvizoi ai, duke theksuar rëndësinë e këtij lloj votimi. Besa Gaxherri, mbështetëse e ish-kryetarit të parlamentit Nexhat Daci, I tha Zërit të Amerikës se kryetar i ligjshëm i Lidhjes Demokratike do të jetë ai që do të përcaktohet si i tillë nga vota. Në demokraci vendos vota, tha zonja Gaxherri duke shtuar se do të mbështesë këdo që do të zgjidhet me votë lirë në kuvendin e LDK-së.

Përfaqësuesit dhe kandidatët e shpallur deri tani për kryetar të Lidhjes Demokratike duken shumë të kujdesshëm për të theksuar se partia më e madhe në vend do të qëndrojë e bashkuar, pavarësisht se kush do të fitojë. Çdo ndarje e partisë do të kishte ndikim në votat e zgjedhësve, aq më tepër kur zgjedhjet e para pas përcaktimit të statusit pritet të jenë ato në nivel lokal. Duket qartë se pavarësisht nga ky proces zgjedhor, Lidhja Demokratike do të përpiqet të sigurojë që zgjedhja e kryetarit të partisë të mos ndikojë në shumicën që ajo ka ruajtur për vite me rradhë në parlamentin e vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG