Lidhje

SHBA dhe Rusia zhvillojnë diskutime paraprake mbi një marrëveshje të mundëshme për bashkëpunim bërthamor civil

  • Paula Wolfson

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po zhvillojnë diskutime paraprake mbi një marrëveshje të mundëshme për bashkëpunim bërthamor civil. Presidenti Bush dhe ai rus, Vladimir Putin, mund të miratojnë fillimin e negociatave në takimin e tyre në Shën Petërsburg, ditën e premte, para se të fillojë takimi i nivelit të lartë i Grupit të Tetshes.

Publikisht zyrtarët e administratës së presidentit Bush kanë deklaruar se me rusët janë diskutuar një seri çështjesh përpara fillimit të takimit të Grupit të Tetshes.

Numri dy në Departamentin e Shtetit, Nikolas Bërns, u pyet mbi perspektivën e një marrëveshjeje bërthamore civile gjatë një emisioni dje në rrjetin televiziv Fox News.

“Në fakt, ne jemi duke zhvilluar bisedime në Evropë me rusët mbi probleme të ndryshme. Le të shikojmë nëse negociatat do të jenë të frutshme.”

Zoti Bërns nuk hyri në hollësi, por theksoi:

“Pa dyshim, ne si fuqi bërthamore jemi të interesuar të bashkëpunojmë me Rusinë për ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore. Kjo është në interesin e Amerikës dhe nuk duhet të befasojë askënd.”

Rusia ka bashkëpunuar me Iranin në industrinë e prodhimit të energjisë bërthamore dhe vitin e kaluar ofroi të zhvillojë procesin dhe të depozitojnë të gjithë uraniumin e nevojshëm për furnizimin e gjeneratorëve atomikë.

Plani nuk u realizua kurrë dhe mosmarrëveshjet midis Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar mbi programin bërthamor vazhdojnë. Por negociatat midis Rusisë dhe Iranit nxorën në pah rolin kyç që Rusia mund të luajë në përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi ambiciet bërthamore të Teheranit, një rol që administrata e presdentit Bush synon ta nxisë.

Një marrëveshje që e njeh Rusinë si vend depozitimi të karburantit bërthamor dhe zgjeron pozitën e saj në industrinë e energjisë bërthamore mund të shërbente si nxitje e madhe.

Por ky lloj ndryshimi në politikë, i cili përmbys vite kundërshtimi ndaj bashkëpunimit bërthamor me rusët, has në kundërshtime në Senatin amerikan.

Senatori republikan nga Arizona, Xhon McCein tha për rrjetin televiziv CBS se një marrëveshje bërthamore tani me rusët mund të shihet si shpërblim për sjelljen e papranueshme të Moskës.

“Ka ardhur koha për diskutime serioze me rusët. Presidenti Putin po ndjek hapur rrugën drejt restaurimit të despotizmit në Rusi.”

Duke folur në të njëjtin program televiziv, senatori demokrat i shtetit Konektikat, Kristefër Dod, tha se ai ka të njëjtat shqetësime me zotin McCein, por shtoi se në një këndvështrim afatgjatë një marrëveshje për bashkëpunim bërthamor civil me Rusinë mund të ketë rezultate pozitive.

“Jam optimist mbi këtë çështje, tha senatori Dod. Nuk jam në kundërshtim që duhet ta studjohet me kujdes, por mendoj se më vonë mund të na interesojë.”

Në qoftë se do të arrihet një marrëveshje për bashkëpunim bërthamor civil, ajo do të duhet të miratohet nga Kongresi amerikan dhe parlamenti rus që të hyjë në fuqi. //ze//

XS
SM
MD
LG