Lidhje

Nju Jork Tajmsi, mes debateve për nxjerrjen e sekreteve të sigurisë kombëtare

  • Zulima Palasio

Një grup i vogël prej rreth 15 vetësh u mblodhën para zyrës së gazetës Nju Jork Tajms në Uashington për të protestuar ndaj botimit të disa shkrimeve, që disa i quajnë sekrete të sigurisë kombëtare. Redaktorë të Nju Jork Tajms-it dhe Los Anxhelos Tajms-it kanë mbrojtur vendimet e tyre për të botuar shkrime ditët e fundit, ku bënin publik një program sekret të administratës së Presidentit Bush me të cilin mbahen nën kontroll transaksione ndërkombëtare financiare. Edhe Presidenti Bush dhe nënpresidentit Cheney e kritikuan ashpër gazetën New York Times.

Një grup protestuesish e shprehën zemërimin ndaj Nju Jork Tajms-it, para zyrës së kësaj gazete në Uashington, DC. Muajin e kaluar, gazeta njoftoi për një program sekret të administratës së Presidentit Bush për gjetjen e terroristëve përmes transaksioneve bankare.

Gazeta u kritikua vitin e kaluar pasi shkruajti për përpjekjet e Agjencisë për Siguri Kombëtare për përgjimin e telefonatave ndërkombëtare pa vendime gjykate. Për atë artikull gazeta Nju Jork Tajms mori çmimin Pulicer, një nga nderimet më të mëdha në gazetarinë amerikane. Por Kristinn Tejlor, e grupit organizator Free Republic.com e akuzoi Nju York Tajms-in, se kishte nxjerrë sekretet për sigurinë kombëtare.

“Ne duam që botuesi Artur Salcberger, kryeredaktori Bill Keller dhe dy gazetarët Eric Lihtblo dhe Xhejms Risen të ndiqen penalisht për tradhëti, sepse e kanë ndihmuar dhe i kanë dhënë kënaqësi armikut në një kohë lufte”.- thotë ai.

Edhe disa gazeta të tjera të mëdha amerikane shkruan për të njejtin program. Por Presidenti Bush dhe një numër ligjvënësish republikanë janë përqendruar tek Nju Jork Tajms-i, duke thënë se botimi i informacionit sekret mund të rrezikojë jetën e amerikanëve.

“Bërja publike e këtij programi është e turpshme. Ne jemi në luftë me një grup njerëzish që duan të dëmtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njerëzit që japin informacion për këtë program dhe një gazetë që e boton i shkakton shumë dëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne po vepronim drejt”. - tha Presidenti.

Kryeredaktori i gazetës Nju Jork Tajms, Bill Keller, e mbrojti vendimin e gazetës së tij dhe të drejtën e lexuesve për t’u informuar në televizionin CBS.

“Mendoj se bëhet fjalë për shumë më tepër sesa për artikullin për bankat. Që pas 11 shtatorit, redaktorëve u është dashur të marrin disa vendime vërtet të vështira sesi të informohen amerikanët për mënyrën sesi e kryen qeveria luftën kundër terrorizmit. Dhe ka pasur shumë raste kur ne kemi marrë vendimin që të mos nxjerrim informacion”.

Zoti Keller ka thënë gjithashtu, se gazeta e tij nuk u tregoi terroristëve asgjë të re, duke thënë se ata e dinë shumë mirë që qeveritë i mbajnë nën kontroll transaksionet ndërkombëtare financiare.//lk

XS
SM
MD
LG