Lidhje

Maqedoni: Vazhdojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar


Në Maqedoni vazhduan të martën bisedimet midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, për mundësinë e përfshirjes së kësaj të fundit në koalicionin qeveritar.

Ndërkohë, kryesia e PDSH-së akoma nuk ka vendosur për pjesëmarrjen ose jo të saj në Qeverinë e re, nëse pjesë e saj do të jetë edhe BDI-ja.

Zëdhënësi I PDSH-së, Ernad Fejzullahu i tha Zërit të Amerikës se vendimi i partisë do të miratohet në varësi të rrjedhës së bisedimeve midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.

Mjetet e informimit në Shkup jozyrtarisht njoftuan se zëvendëskryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi informoi të martëm udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski se partia e tij nuk do të jetë anëtare e koalicionit qeveritar nëse bën pjesë edhe BDI-ja.

Një zëdhënës i VMRO-DPMNE-së tha se kryesia e PDSH-së nuk duhet të nxitojë me vendimet e saj për t`u tërhequr nga koalicioni.

Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) vendosi po të martëm përsëritjen e votimeve në dy qendra votimi me 3 mijë votues në Bogovinë dhe Çegran të Tetovës.

Sipas komisionerëve të PDSH-së përsëritja e këtij votimi në këtë zonë, do të mundësojë që PDSH me pak vota të përfitojë një deputet më shumë, nga 11 në 12 deputetë, ndërsa BDI-ja sipas tyre ka mundësi të humbë një deputet, që do të thotë zvoglimi i numrit të tyre nga 18 në 17.

KSHZ pritet të vendosë të mërkurëm datën e përsëritjes së votimeve në këtë zonë zgjedhore.

Në zgjedhjet e 5 korrikut VMRO-DPMNE fitoi 44 deputetë, duke qenë mandatare për formimin e Qeverisë së re, ndërsa tek partitë shqiptare PDSH 11 deputetë, ndërsa koalicioni BDI-PPD fitoi 18 deputetë.

XS
SM
MD
LG