Lidhje

Para takimit të Tetëshes, Perëndimi shqetësohet se Rusia nuk po lejon zgjidhjen e disa çështjeve globale


Takimi i nivelit të lartë të Grupit të Tetë vendeve më të industrializuara të botës hapet më 15 korrik në Shën Peterburg të Rusisë. Presidenti i vendit organizator Vladimir Putin thotë se ka në plan t’i përqendrojë përpjekjet në një rreze të gjerë temash përfshirë energjinë, sëmundjet ngjitëse, arsimin, konfliktet rajonale, kundër-terrorizmin dhe armët e shkatërrimit në masë. Por në perëndim ekziston shqetësimi që Rusia nuk po lejon zgjidhjen e disa prej këtyre çështjeve.

Siguria e energjisë globale është në krye të listës së problemeve që Presidenti Putin radhit në deklaratën e tij të mirëseardhjes në faqen zyrtare të internetit për takimin e Tetëshes. Por Rusia ngjalli pikëpyetje për besueshmërinë e saj kur Gazprom, monopoli shtetëror rus i energjisë, ndërpreu furnizimin me gaz natyror për Ukrainën në janar. Viktor Kremenyuk, zëvendës drejtor i Institutit SHBA-Kanada në Akademinë Ruse të Shkencave thotë se ndërprerja nxorri në pah çështjen e pavarësisë së energjisë.

“Para krizës mes Rusisë dhe Ukrainës, varësia energjitike shihej si fillimi i një partneriteti, ose ndoshta fillimi i një aleance. Tani shihet si kërcënim”.

Shumë analistë perëndimorë thonë se Rusia po shfrytëzon gjithashtu konflikte të përgjakshme në Kaukaz për të ruajtur ndikimin politik në rajon. Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, Carlos Pascual, aktualisht drejtor i Studimeve të Politikave të Jashtme në Institutin Brookings në Washington thotë se Grupi i Tetëshes duhet t’i diskutojë këto konflikte.

“Në çështjen e konflikteve të ngrira në ish-Bashkimin Sovjetik veçanërisht me Gjeorgjinë Rusia ka qenë një partnere që ka hapur probleme. Dhe mendoj se për Shtetet e Bashkuara dhe Tetëshen do të jetë thelbësore që të vendosin një kufi dhe të thonë se ajo që duhet lidhur me Gjeorgjinë dhe Abkhazinë duhet të vendoset paqja dhe jo konflikte të mëtejshme”.

Para se Rusia të ftohej për t’u bërë anëtare në Tetëshe në vitin 1998, organizata njihej si Grupi i Shtatë demokracive të industrializuara. Megjithatë ish-korrespondenti i gazetës Financial Times në Moskë, David Satter thotë se koncepti i të drejtave personale është i ndryshëm, se në traditën demokratrike perëndimore shteti i shërben individit ndërsa në Rusi individi shihet si një instrument që i shërben shtetit.

“Si pasojë Rusia nuk e kupton idenë që rregullat vlejnë për të gjithë njëlloj. Se ka rregulla që dalin mbi shoqërinë, mbi interesat e individëve të veçantë dhe mbi interesat e shtetit. Dhe se shteti, jo më pak se individi është i detyruar të veprojë në përputhje me këto rregulla”.

Satter foli gjatë një seminari kohët e fundit mbi Rusinë dhe Grupin e Tetëshes në Institutin Hudson në Washington. Analisti politik rus Andrei Piontkovsky tha se deklarata e Presidentit Putin se është kundër ultimatumeve mbi mospërhapjen bërthamore tregon se Grupi i Tetëshes nuk ka shanse të arrijë një marrëveshje të plotë për krizën aktuale bërthamore me Iranin.

“Do të thotë që Moska nuk do ta lejojë kurrë Këshillin e Sigurimit që të ndërmarrë sanksione të vërteta ndaj Iranit. Do të thotë që regjimi iranian nuk do të ketë motivim për të ndaluar programin e tij bërthamor”.

Megjithëse në Perëndim është bërë thirrje për ta nxjerrë Rusinë nga Tetëshja, nuk ka ndonjë mbështetje të madhe për një veprim të tillë. Janë bërë gjithashtu thirrje për të zgjeruar anëtarësimin e grupit duke përfshirë edhe Kinën që të mund të ndihmojë për zgjidhjen e shumë prej porblemeve të botës.

XS
SM
MD
LG