Lidhje

Presidenti Bush ndodhet në Gjermani në fillim të një turneu një-javor në Evropë


Presidenti Bush e fillon vizitën e tij në Gjermani me një takim me kancelaren Angela Merkel në zonën zgjedhore që ajo ka përfaqësuar në parlament që pak kohë pas bashkimit të Gjermanisë.

Vëzhguesit politikë vendorë e krahasojnë zgjedhjen personale të mikpritjes së kancelares me praktikën e presidentit Bush, i cili i fton udhëheqësit botërorë në fermën e tij në Teksas. Menuja në këtë rast është: derr i egër i prekur në hell.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë Stephen Hedley thotë se kjo i jep mundësi presidentit të krijojë lidhje më personale me kancelaren e re gjermane.

“Kancelarja po garanton një udhëheqje të fuqishme dhe parimore, dhe presidenti beson se ajo po ndihmon në forcimin e aleancës gjermano-amerikane të përkushtuar për ta bërë botën më të sigurt, më demokratike dhe më të begatë.”

Pas Gjermanisë, presidenti Bush do të shkojë në Rusi për një takim me presidentin Vladimir Putin, i cili pritet të përqendrohet në përpjekjet për ta bindur Iranin të ndërpresë pasurimin e uraniumit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se këto bisedime do të diskutohet edhe rreth provave me raketa të Koresë së Veriut kohët e fundit dhe si të trajtohet çështja e armëve bërthamore të Penianit përmes bisedimeve gjashtë-palëshe që përfshijnë Korenë e Veriut, Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Japoninë.

Në Shën Petersburg, presidenti Bush dhe presidenti Putin do të marrin pjesë në takimin e Grupit të Tetëshes me udhëheqës të Japonisë, Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Kanadasë.

Presidenti Putin ka zgjedhur tre përparësi për këtë takim: siguria e energjisë, lufta kundër sëmundjeve infektive dhe arsimi. Megjithatë, çështjet e Iranit dhe Koresë së Veriut ka të ngjarë të mbizotërojnë bisedimet, ndërkohë që Rusia dhe Kina vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Iranit dhe Koresë së Veriut. //ze

XS
SM
MD
LG