Lidhje

Rusi: Ekonomia është rritur me ritme të shpejta, por po ashtu edhe korrupsioni


Rusia po përgatitet për të pritur udhëheqësit e vendeve më të zhvilluara të botës në takimin e nivelit të lartë të Tetëshes në Shën Peterburg të shtunën. Udhëheqësit do të kenë rastin të shohin frutet e bumit rus të energjisë ndërkohë që rritja e çmimeve të naftës ka sjellë rritjen e të ardhurave të vendit. Por, takimi nuk parashikohet të kalojë komplet pa probleme, pasi perëndimi pritet të shprehë shqetësimet për një numër çështjesh përfshirë hapat mbrapa të demokracisë dhe rritjen e korrupsionit:

Ky vit ka qenë i favorshëm për Rusinë. Ndërsa çmimet e naftës vazhdojnë të rriten, po ashtu janë rritur edhe rezervat e arit dhe ato valutore, duke e zënë vendin e katërt në botë, një sukses ky pas krizës së rublës të vitit 1998.

Por nuk është vetëm sasia e parave që është rritur. Ekspertët thonë që edhe korrupsioni është rritur me hapa galopante vitet e fundit dhe nivelet e tij janë aq të larta saqë po pengojnë rritjen ekonomike.

Udhëheqësi rus foli për këtë çështje në fjalimin e tij të përvitshëm për gjendjen e vendit në maj.

“Korrupsioni është një nga pengesat më serioze për zhvillimin e Rusisë dhe se shteti nuk po arrinte ta eliminonte atë”.

Georgi Satarov, kreu i fondacionit Indem të Moskës e ka studiuar për vite me radhë korrupsionin rus. Ai thotë se nuk ka besim tek synimi i udhëheqësit rus për të luftuar korrupsionin dhe parashikon që këto të mbeten vetëm fjalë.

“Ka një arsye që korrupsioni është rritur kaq shumë vitet e fundit: sepse nuk ka absolutisht asnjë kontroll mbi burokracinë. Gjatë gjithë periudhave të mëparshme burokracia kontrollohej në një farë mënyre nga aristokracia, fisnikëria apo udhëheqja e partisë, ose gjatë kohës së Jelcinit kishte një opozitë efektive, liri të medias, institucione të balancuara të pushtetit, gjykata të pavarura, pak a shumë shoqëri civile e lirë. Të gjitha këto shërbejnë si instrumenta kontrolli. Gjatë gjashtë viteve të fundit të gjithë këta instrumenta u shkatërruan”.

Por të tjerë si Mikhail Grishankov, kreu i Komisionit Anti-Korrupsion të Dumës janë më optimistë.

“Jam i sigurt se këto rregulla do të fillojnë të ndryshojnë së shpejti. Gjithkush do ta kuptojë se koha e mungesës së ligjit ka marrë fund. Po të shohësh në Evropën perëndimore, besoj se askujt nuk do t’i shkojë mendja t’i japin rryshfet një polici që i ndalon në rrugë. Këtu i japin se e dinë që do t’i marrin”.

Policia rrugore në Rusi shërben si shembulli më i mirë për të treguar sesa i përhapur është korrupsioni në shoqërinë ruse. Me para mund të dalësh nga çdo lloj situate që mund të ndeshësh në rrugë që nga ecja me shpejtësi deri në krime më të rënda.

“Edhe shkelje më të rënda mund të zgjidhen me para. Dikush më ka thënë se nëse vret dikë do të të kushtojë 50 mijë dollarë ose më pak por jo më shumë”.

Sergei Anikushin është një biznesmen 31 vjeçar nga Moska. Ai thotë se dhënia e bakshishit është diçka e natyrshme dhe nuk mendon se gjendja mund ose duhet të ndryshojë.

“Mendoj se është e pamundur të ndryshojë ndonjë gjë përveçse të ndihmohen organet e ligjit kur përpiqen të arrestojnë ata që marrin ryshfete. Nëse dikush nga shërbimet shtetërore të kërkon para, mund të shkosh në polici dhe ai ndëshkohet. Por çështja tjetër është sesi do të zgjidhet pastaj problemi që ke. Jo të gjithë ne jemi të gatshëm të harxhojmë kohë duke luftuar mullinjtë e erës”.

Ekspertët bien dakord se për të çrrënjosur corrupsionin në Rusi, shteti ka nevojë për një politikë të gjerë anti-korrupsion. Por kritikët thonë se në një vend ku të gjitha kanalet televizive janë shtetërore, konkurrenca politike praktikisht nuk ekziston dhe ndjekja penale nuk bëhet për të gjithë, cinizmi i publikut është aq i thellë saqë hapat për të luftuar korrupsionin do të ishin masa të përkohshme dhe të padobishme.

XS
SM
MD
LG