Lidhje

Serbia këmbëngul tek autonomia e zgjeruar për Kosovën


Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica vazhdoi të mërkurën në Uashington përpjekje për të siguruar mbështetje për propozimin e Beogradit në negociatat për statusin e Kosovës. Megjithë thirrjet e Uashingtonit për elasticitet më të madh për të arritur një kompromis në bisedime, zoti Koshtunica këmbënguli në propozimin për një autonomi të zgjeruar për Kosovën si alternativën më të qëndrueshme. Kryeministri serb foli në Klubin Kombëtar të Shtypit, në Uashington.

Kryeministri serb theksoi përsëri avantazhet që ai shikon në propozimin e Beogradit, për të cilin është përpjekur të sigurojë mbështetjen e vendeve të Grupit të Kontaktit:

“Propozimi serb është një autonomi e zgjeruar për Kosovën brenda Serbisë. Ky propozim ka avantazhet se i shërben qëndrueshmërisë në rajon, dhe njëkohësisht mbështetet në parimet e të drejtës ndërkombëtare për ruajtjen e integritetit territorial të shteteve dhe mbi rezolutën 1244”.

Duke folur për qëndrimin e Prishtinës, për zgjidhjen e statusit, zoti Koshtunica paralajmëron se rivendosja e kufijve do të ishte një eksperiment i rrezikshëm me pasoja të rënda:

“Për fat të keq kur flitet për pavarësinë e Kosovës në format e tyre të ndryshme, me kusht, të kufizuar, të shtyrë në kohë, mbështetësit e kësaj ideje flasin vetëm për zhvillimet pozitive që do të pasojnë. Por mendoj se pasojat negative të mundshme janë të shumta dhe shumë serioze”.

Raundet e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë, megjithëse deri tani përparimi ka qenë i pakët. Sekretarja e Shtetit Rajs është shprehur se Uashingtoni do të këmbëngulë që të dyja palët, si Prishtina ashtu edhe Beogradi të tregohen më elastike në qëndrimet e tyre për arritjen e kompromisit. Por kryeministri Koshtunica këmbëngul se Beogradi ka parashtruar një kompromis në propozimin e tij për autonomi të zgjeruar:

“Të marrim në shqyrtim dy qëndrime, njëri është statusi që Kosova kishte më parë nën regjimin e Millosheviçit, ndërsa tjetri është kërkesa e shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës. Beogradi ka paraqitur kompromis duke propozuar një zgjidhje në mes të këtyre dy qëndrimeve”.

Zoti Koshtunica paralajmëron se pikësynimi nuk duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje të shpejtuar në mënyrë që negociatat të përfundojnë brenda këtij viti, pasi çështje të tilla të ndërlikuara si statusi i Kosovës duhen zgjidhur me maturi dhe kërkojnë jo një rrugëdalje të shpejtë por një zgjidhje të ndërlikuar që ofron qëndrueshmëri.

XS
SM
MD
LG