Lidhje

Këshilli i Sigurimit: Raund i ri diplomacie për Kosovën


I dërguari i posaçëm i OKB-së Marti Ahtisari raportoi para Këshillit të Sigurimit rreth përpjekjeve të tij për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës. Në seancën me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit morën pjesë edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri serb Vojislav Koshtunica.

Pas seancës, zoti Ahtisari u tha gazetarëve se ai do të organizojë takimin e nivelit më të lartë deri tani ndërmjet negociatorëve shqiptarë dhe atyre serbë në përpjekje për të sheshuar mosmarrëveshjet rreth kësaj çështjeje delikate.

“Ideja e këtij takimi është se do të jetë hera e parë që udhëheqja politike e të dy palëve do të ketë rastin të paraqesë argumentat e veta, si e shohin ata çështjen e statusit, dhe pastaj ne do të vazhdojmë bisedimet rreth çështjeve teknike nëse shohim se po bëjmë përparim në sheshimin e mosmarrëveshjeve.”

Kryeministri serb Koshtunica i shpjegoi Këshillit të Sigurimit qendrimin e mbajtur gjithnjë nga vendi i tij se nuk do ta pranonte kurrë kërkesën për pavarësinë e Kosovës. Në një artikull në gazetën Washington Post këtë javë, zoti Koshtunica tha se Serbia do t’i ofronte shumicës shqiptare të Kosovës “maksimimin e autonomisë.”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i tha Këshillit se popullsia shumicë e rajonit nuk do të pranonte kompromis për sa i përket çështjes së pavarësisë.

Fuqitë perëndimore kanë thënë se ka shumë të ngjarë që rezultati i bisedimeve do të jetë një lloj pavarësie për Kosovën para fundit të vitit. Por Rusia, një aleate tradicionale e serbëve, me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, ka kundërshtuar, duke thënë se nuk duhet të caktohet një afat artificial për arritjen e marrëveshjes.

Ambasadori rus në OKB Vitaly Churkin tha pasi doli nga takimi i Këshillit të Sigurimit tha se Moska e kundërshton idenë e imponimit të një zgjidhjeje për Kosovën.

"Une deklarova se nuk besoj që komuniteti ndërkombëtar ka baza ligjore, politike apo morale për ta detyruar Serbinë të pranojë një zgjidhje për këtë çështje. Ka mjaft mundësi që të gjitha palët të diskutojnë. Dhe e vetmja zgjdhje e qendrueshme, e vetmja zgjidhje e mirë për stabilitetin rajonal dhe global, do të ishte një zgjidhje e negociuar mes dy palëve.”

Diplomatët e Kombeve të Bashkuara thonë se kryeministri i Serbisë, Vojislav Koshtunica dhe presidenti Boris Tadic do të ftohen të marrin pjesë në bisedimet për statusin së bashku me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Agim Çeku. Një zëdhënës i zotit Ahtisari tha se bisedimet mund të fillojnë në Vienë javën e fundit të korrikut. //ze

XS
SM
MD
LG