Lidhje

Presidenti Bush vazhdon vizitën në Rusi me takime private me udhëheqësit botërorë

  • Scott Stearns

Presidenti Bush ndodhet në Rusi ku do të marrë pjesë në takimin vjetor të nivelit të lartë të tetë vendeve më të industrializuara të botës. Ai do të zhvillojë sot takime private me udhëheqës botërorë para se të fillojë zyrtarisht takimi i Grupit të Tetëshes.

Para takimit të nivelit të lartë të Shën Petersburgut, presidenti Bush dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin zhvillojnë bisedime, që pritet të përqëndrohen tek dhuna në Lindjen e Mesme dhe sanksione të mundshme kundër Koresë së Veriut dhe Iranit.

Presidenti Bush tha se do të diskutojë me zotin Putin lidhur me shqetësimet rreth lirisë së shtypit dhe demokracisë në Rusi. Duke folur me gazetarët në Gjermani, para se të shkonte në Shën Petersburg, zoti Bush tha se do t’i shprehë bindjet e tij me vendosmëri, por do të respektojë gjithashtu qëndrimin e presidentit Putin.

“Kur mendoj rreth marrëdhënieve të mija me presidentin Putin, mund të them se askujt nuk i pëlqen që t’i japësh leksione. Dhe në se dëshiron të jesh i efektshëm, nuk duhet ta kritikosh përherë dikë publikisht. Unë nuk do të lë pa ia përmendur atij se ne mund të kemi mendime të ndryshme, por mua më duhet të tregojë respekt për zotin Putin, që më pas të mund të ulemi së bashku dhe të zhvillojmë një dialog konstruktiv.”

Pas bisedimeve të tyre, të dy udhëheqësit do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve në vendin ku zhvillohet takimi i Grupit të Tetëshes.

Presidenti Bush do të takohet gjithashtu privatisht me kryeministrin e Italisë, Romano Prodi para një darke shoqërore me udhëheqësit e 8 vendeve, që do të pasohet me hapjen zyrtare nesër të takimit të nivelit të lartë të Shën Petersburgut.

Kjo është hera e parë që Rusia organizon takimin e vendeve më të industrializuara të botës dhe presidenti Putin shpreson ta përqëndrojë rendin e ditës në sigurinë e energjisë, luftën kundër sëmundjeve ngjitëse dhe në çështjet e arsimit. Por dhuna në Lindjen e Mesme ka shumë të ngjarë të mbizotërojë takimin.

Zoti Putin do të dëshironte gjithashtu të siguronte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e vendit të tij në Organizatën Botërore të Tregëtisë. Këto bisedime vazhdojnë, ndërkohë që zyrtarët amerikanë shprehin shqetësim lidhur me hapjen e tregjeve ruse dhe mbrojtjen e së drejtës së pasurisë intelektuale. //ze

XS
SM
MD
LG