Lidhje

Izraeli në konflikt - Si filloi dhuna?


Izraeli është mbërthyer në një konflikt me shumë fronte me grupe terroriste, i cili po ushëton në gjithë Lindjen e Mesme.

Konflikti midis Izraelit dhe ekstremistëve islamikë, që filloi në Rripin e Gazës nga fundi i muajit të kaluar, u shtri para pak ditësh në veri, në Liban. Dy grupe të pavarura terroriste, Hamasi dhe Hezbollahu, po luftojnë tani kundër Izraelit në fronte të veçanta.

Në të dy rastet konflikti filloi si pasojë e rrëmbimit të ushtarëve izraelitë. Dhe në të dy rastet, përgjigja e Izraelit ka qënë e ashpër. Tani analistët thonë se çështja më urgjente është në se konflikti mund të qetësohet dhe më në fund të ndalet apo do të shtrihet edhe më tej në Lindjen e Mesme.

Pas rrëmbimit më 12 korrik të dy ushtarëve izraelitë nga grupi Hezbollah për gjatë kufirit të Izraelit me Libanin, disa vëzhgues vënë në pikëpyetje në se ky veprim ishte koordinuar me rrëmbimin e parë më 25 qershor në një postbllok në Gaza.

Diplomati veteran amerikan, Philip Wilcox, i cili tani është president i Fondacionit për Paqen në Lindjen e Mesme, me seli këtu në Washington, thotë se incidenti i dytë ka më shumë të ngjarë të ketë qënë rastësi se sa i qëllimshëm: “Është llogjike që Hamasi dhe Hezbollahu, që kanë konflikte të pazgjidhura territoriale me izraelitët, të shfrytëzojnë pozitën e vështirë të Izraelit në Gaza për të krijuar një front tjetër ushtarak në kufirin izraelito-libanez”, thotë Wilcox.

Henry Siegman pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë në New York thotë se fushata e kryeministrit izraelit Ehud Olmert kundër Hamasit filloi pas zgjedhjeve palestineze në janar: “Politika e shpallur e qeverisë së zotit Olmer ishte minimi i qeverisë së Hamasit. Duket se ekzistonte mendimi se në se populli palestinez në Gaza dënohej sa duhej, ata do të tërhiqnin mbështetjen për Hamasin, i cili do të dështonte.”

Saleh Sakka, përfaqësuesi në Gaza i grupit humanitar, Ndihmat Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërme, thotë se strategjia e Izraelit ka qënë e sukseshme deri në një farë mase, por në të njëjtën kohë ka shtuar pakënaqësinë e palestinezëve: “Njerëzit thonë se me sa duket ata po paguajnë për votën që hodhën në mbështetje të Hamasit në zgjedhjet e janarit. Dhe si rezultat ata kanë filluar të pyesin veten: A ishte ajo një zgjedhje e mirë? Në se do ta dinin se ç’do të ndodhte, ata nuk do ta mbështesnin Hamasin. Por ka njerëz të tjerë, që janë shumë të pakënaqur që po dënohen dhe do ta mbështesnin Hamasin njësoj në se zgjedhjet do të mbaheshin përsëri.”

Shumë analistë thonë se ka një arsye tjetër se pse operacionet izraelite kanë qënë kaq të ashpra. Njëri prej tyre është David Makovsky pranë Institutit për Politikën e Lindjes së Afërme në Washington, i cili thotë se kryeministrit Olmert i duhet të provojë diçka shumë të rëndësishme tek elektorati i tij. “Kryeministri Olmert mendon se është një element i ri në politikë. Gjithashtu Hamasi dhe Hezbollahu po e vënë atë në provë. Ai do që t’i tregojë publikut izraelit skeptik se ai është pasardhës i vlefshëm i ish kryeministrit Ariel Sharon.”

Henry Siegman i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se shihet qartë se Hezbollahu po ndihmohet nga shtetet kundërshtare të Izraelit në rajon. “Natyrisht që kemi të bëjmë me forca të tjera, veçanërisht Iranin. Ka pasur sugjerime se edhe Siria është e ndërlikuar. Irani dhe Siria e kanë bërë të mundur për Hezbollahun që të armatoset dhe të ngrejë bazat, që ka përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit.”

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera i kanë paralajmëruar Iranin dhe Sirinë që të mos përzjehen në konfliktin e Izraelit me Hezbollahun dhe Hamasin, duke thënë se do të kishin pasoja të rënda për mbështetjen e këtyre dy grupeve terroriste.

Në mes të këtij konflikti të rëndë ekziston edhe një shqetësim tjetër: në se do të shpëtohet ndonjë pjesë e përpjekjeve prej disa dekadash për arritjen e paqes midis Izraelit dhe fqinjëve të tij. Faud Ajami në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins, thotë se përpjekjet e kaluara, duke përfshirë edhe planin e paqes, po braktisen ndërsa Izraeli përcakton kursin e veprimeve të tij. “Procesi i paqes që kemi ndjekur ka marrë fund. Ideja që arabët t’u bëjnë presion amerikanëve, që amerikanët më pas t’u bëjnë presion izraelitëve dhe që këta të fundit t’u bëjnë lëshime palestinezëve, është një displomaci e vjetër që nuk funksionon më. Tani kemi të bëjmë krejtësisht me një mënyrë të njëanshme të Izraelit në vend të diplomacisë shumë palëshe.”

Konflikti midis Izrelit, Hamasit dhe Hezbollahut nuk ka marrë fund, ndërkohë që dhuna po shtrihet në gjithë Lindjen e Mesme. Shumë diplomatë dhe analistë paralajmërojnë se veprime të tjera nga çdo palë ndërluftuese mund të krijojnë një konflikt më të gjerë në gjithë rajonin. //rd//

XS
SM
MD
LG