Lidhje

Presidentët Bush dhe Putin diskutuan mbi një gamë të gjerë çështjesh

  • Scott Stearns

Presidenti Bush vazhdon vizitën në Rusi, ku sot në Shën Petersburg fillon zyrtarisht takimi i nivelit të lartë i 8 vendeve më të industrializuara të botës. Gjatë ditës së djeshme, presidenti Bush u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe që të dy ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës lidhur me pasurimin e uraniumit nga Irani. Por zoti Bush nuk arriti të siguronte mbështetjen e presidentit rus për vendosjen e sanksioneve ekonomike në se Teherani nuk u përgjigjet nismave të ofruara të komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti Bush dhe bashkëshortja e tij Laura bashkë me udhëheqësit e tjerë botërorë morën pjesë në një darkë shoqërore të shtruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe e shoqja e tij Ludmilla në Pallatin Peterhof, shtëpia e begatë verore e Pjetrit të Madh.

Kjo darkë i dha fund një dite të ngjeshur të presidentit Bush, i cili u takua privatisht me presidentin Putin dhe me kryeministrin e Italisë, Romano Prodi. Në rend të ditës ishte shkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme dhe një përpjekje për vendosjen e sanksioneve kundër Iranit dhe Koresë së Veriut lidhur me programin e tyre të armëve bërthamore.

Këto çështje me siguri që do të mbizotërojnë edhe takimet e presidentit Bush sot me kryeministrin britanik, Tony Blair, dhe presidentin francez, Zhak Shirak, para fillimit të takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetëshes.

Presidenti Bush kishte shpresuar që Irani t’i përgjigjej paketës së nismave të komunitetit ndërkombëtar para fillimit të takimit të Grupit të Tetëshes në Shën Petersburg. Por Irani këmbëngul se përgjigjen do ta japë nga mesi i muajit të ardhshëm.

Gjatë një konferfence shtypi bashkë me presidentin Putin, zoti Bush shprehu besimin se Irani po vë në provë vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar. Sa më i qartë të jetë mesazhi, që u dërgojmë iranianëve, tha presidenti Bush, aq më shpejt Teherani do ta kuptojë se ka një rrugë më të mirë përpara.

“Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të një mendimi se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore. Me fjalë të tjera, iranianët duhet ta kuptojnë se ne po flasim me një zë, se ata nuk duhet të kenë armë të tilla. Dhe ky është një përparim.”

Presidenti Putin mbështet marrjen e masave nga Kombet e Bashkuara kundër Iranit në rast se qeveria e Teheranit nuk pranon nismat ndërkombëtare. Duke folur nëpërmjet përkthyesit, zoti Putin tha se masat nuk duhet të përfshijnë bllokimin e përdorimit nga Irani të teknologjisë që ky vend ka të drejtë të zhvillojë.

“Unë e kam përmendur tashmë se nuk do të marr pjesë në ndonjë fushatë, në ndonjë aleancë të shenjtë. Kjo është e vërtetë, unë e përsëris qëndrimin tim rreth kësaj çështjeje, se objektivi ynë i përbashkët është që ta bëjmë botën më të sigurtë.”

Presidenti Putin tha se presioni i komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit nuk është ndonjë lloj komploti, por një përpjekje për të gjetur një zgjidhje, që do të garantonte zhvillimin e sigurtë e të ligjshëm nga Irani të teknologjisë bërthamore.

Rusia po e ndihmon Iranin të ndërtojë stacionin e parë të energjisë atomike dhe ka investime të mëdha në atë vend.

Kjo ka ndërlikuar përpjekjet amerikane për ta bindur Rusinë të mbështesë kërcënimin për sanksione ekonomike. As presidenti Bush dhe as presidenti Putin nuk diskutuan dje në publik mbi sanksionet.

Dy presidentët diskutuan edhe mbi Korenë e Veriut. Presidenti Bush tha se ata patën një bisedë konstruktive.

“Objektivi ynë është që të kemi një gadishull korean pa armë bërthamore. Dhe me këtë objektiv është dakord Rusia, Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut. Pra ne kemi një qëndrim të përbashkët për të ecur përpara dhe tani do të përqëndrohemi në gjuhën që do të përdoret. Takimi ishte shumë konstruktiv.”

Me presidentin Putin u takua edhe kryeministri i Japonisë, Juniçiro Koizumi, për të diskutuar mbi sanksionet e mundshme kundër Koresë së Veriut. Tokioja dhe Washingtoni kanë ofruar një tekst të ndryshuar të një rezolute, e cila kërkon balancimin e kërkesave të tyre për sanksione ndëshkuese me një gjuhë më të butë, propozuar nga Rusia dhe Kina. //ze

XS
SM
MD
LG