Lidhje

Irani hedh poshtë akuzat se po ndihmon Hezbollahun në Liban


Një zëdhënës i qeverisë iraniane Hamid Reza Asefi hodhi poshtë akuzat se Irani po ndihmon grupin shiit Hezbollah me bazë në Liban. Ai paralajmëroi gjithashtu Izraelin se do të ndeshet me pasoja të rënda nëse sulmon Sirinë.

Në një konferencë shtypi sot në, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hamid Reza Asefi tha se nuk ka trupa të Gardës Revolucionare Iraniane që luftojnë përkrah Hezbollahut në Liban. Zoti Asefi hodhi gjithashtu poshtë akuzat se Irani ka furnizuar Hezbollahun me raketa, duke i cilësuar këto pretendime si “propagandë.” Ai tha se Hezbollahu është në gjendje t’i dalë për zot vetes.

Një gjeneral i ushtrisë izraelite tha sot se trupat iraniane po ndihmojnë Hezbollahun të godasë me raketa Izraelin dhe se Izraeli ka identifikuar ushtarë iranianë. Hezbollahu, një organizatë e përbërë nga myslimanë shiitë, u themelua në vitin 1982 pas pushtimit izraelit të Libanit. Kjo organizatë mori frymëzim nga revolucioni iranian i vitit 1979 dhe shumë analistë mendojnë se merr ndihma të konsiderueshme ushtarake dhe financiare nga qeveria iraniane.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollahun një organizatë terroriste. Irani thotë se i ofron Hezbollahut vetëm mbështetje morale.

Dje, Abaz Ali Kadkodai, zëdhënës për Këshillin Mbrojtës Iranian, ritheksoi pohimet e Teheranit se nuk ka ndikim mbi Hezbollahun. Zëdhënësi Asefi shtoi se Irani mbështet Sirinë, e cila gjithashtu është akuzuar se mbështet Hezbollahun, në krizën aktuale. Asefi paralajmëroi Izraelin të mos sulmojë Sirinë, duke thënë se do të ndeshë humbje të rënda nëse e ndërmerr një hap të tillë.

Pasi Hezbollahu rrëmbeu dy ushtarët izraelitë, Izraeli filloi sulmet ndaj objekteve në Liban në përpjekje për të dëmtuar Hezbollahun dhe për të siguruar lirimin e ushtarëve të rrëmbyer. Hezbollahu është përgjigjur duke goditur me raketa Izraelin. Presidenti Bush ka thënë se Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet nga sulmet e Hezbollahut.

Mbrëmë, presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad, i cili ka vazhduar të shprehet me tone të ashpra ndaj Izraelit, i krahasoi sulmet izraelite kundër Libanit me ato të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Ahmadinexhad, i cili u zgjodh një vit më parë, ka ngjallur kritika botërore pasi ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e Holokaustit, nga i cili gjetën vdekjen 6 milionë hebrenjë gjatë regjimit nazist. //rd//

XS
SM
MD
LG