Lidhje

SHBA: Paqja nuk mund të arrihet për sa kohë që Hezbullahu të kërcënojë ushtarakisht Izraelin


Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se dëshiron të shohë një armëpushim të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme, por sipas administratës së presidentit Bush, paqja nuk do të arrihet për sa kohë që Hezbullahu të kërcënojë ushtarakisht Izraelin.

Sekretarja e shtetit Rajs thotë se Shtetet e Bashkuara pa dyshim kërkojnë që t’i jepet fund dhunës. Por ajo shton se një armëpushim që nuk u jep zgjidhje shkaqeve rrënjësore të konfliktit nuk do të ishte i qëndrueshëm. Ajo thotë se çdo armëpushim që lejon Hezbullahun të ketë aftësinë për të hedhur raketa kundër Izraelit dhe u lë hapur rrugën Iranit dhe Sirisë për ndërhyrje nuk dotë ishte i mjaftueshëm.

“Do të arrinim në të njëjtën situatë, ndoshta në kushte edhe më të vështira, sepse terroristët do të mendojnë se askush nuk është i gatshëm t’i kundërpërgjigjet një sulmi mjaft të qartë që po ndërmerret ndaj përparimeve të arritura nga forcat e moderuara në Lindjen e Mesme.”

Ky ishte mesazhi i saj nga Shën Petersburgu, në Rusi, ku ajo ndodhet me rastin e takimit të nivelit të lartë të Grupit të Tetshes. Komentet ajo i përsëriti më pas edhe në televizionin amerikan. Në një seri intervistash për disa rrjete televizive ajo shtoi se tani është koha për të rritur mbështetjen për forcat e moderuara në Lindjen e Mesme, në mënyrë që ato të forcojnë pozitën e tyre ndaj ekstremistëve. Në rrjetin televiziv, Fox News, ajo tha se elementët ekstremistë janë alarmuar nga përparimi i procesit demokratik në rajon.

“Ata besojnë se ne do të fitojmë dhe përpiqen të na frenojnë, ndërkohë që ne jemi të vendosur për fitore, tha zonja Rajs.”

Zonja Rajs u pyet nëse ajo do të angazhohej në një diplomaci ecejakesh në Lindjen e Mesme.

“Si mund ta përfytyroni, tha zonja Rajs, unë po e mendoj një gjë të tillë dhe natyrisht jam e gatshme ta bëj këtë sa herë që mendoj se mund të jap kontributin tim.”

Një anëtare e njohur e Senatit amerikan tha në rrjetin televiziv CNN se administrata e presidentit Bush duhet të dërgojë sa më shpejt në Lindjen e Mesme një delegacion të nivelit të lartë. Demokratja e shtetit të Kalifornisë, Diane Feinstein, sugjeroi se në këtë delegacion mund të ishin dy ish-presidentët, Bush dhe Klinton.

“Mendoj se duhet të angazhohemi dhe ka njerëz që e njohin mirë situatën të cilët mund të ndihmojnë,” tha Feinstein.

Edhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov komentoi në televizionin CNN mbi situatën në Lindjen e Mesme, e cila ka eklipsuar të gjitha problemet e tjera në takimin e nivelit të lartë të Tetëshes në Rusi. Ai tha se çështja nuk është se kujt i duhet hedhur faji pasi është tepër e cekët të thuhet se Hezbullahu provokoi krizën ose se reagimi i Izraelit ishte i tepruar.

“Një mungesë përparimi për dekada në zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit mbi zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit është shkaku i krizave që ndodhin në Lindjen e Mesme," tha zoti Lavrov.

Po dje, kreu i Hezbullahut, Hasan Nasrallah, u paraqit në televizionin libanez dhe paralajmëroi për gjakderdhje të reja. Ndërkohë në komentet e tij të transmetuara njokohësisht në CNN ai tha se Izraeli nuk është në dijeni të aftësisë ushtarake të Hezbullahut dhe se izraelitët duhet të përgatiten për atë që ai e quajti surprizë.

XS
SM
MD
LG