Lidhje

Vazhdojnë kërkimet pas aksidentit tragjik të helikopterit me të cilin udhëtonte Gramoz Pashko


Gramoz Pashko, një nga emrat e njohur të jetes politike dhe publike shqiptare, u aksidentua rëndë gjatë ditës së djeshme në Himarë, ku ai u gjet pa ndjenja në det. Me helikoptër ai u transportua në spitalin e Tiranës, ku ishte në gjendje kome. Në mbrëmje u vendos që ai të dërgohej në spitalin Akuaviva delle Fonti në Bari të Italisë.

Helikopteri qeveritar, me të cilin udhëtojnë shpesh drejtuesit kryesorë të vendit, Presidenti, kryeministri dhe Kryetarja e parlamentit u ngrit nga qendra spitalore e Tiranës në orën 21.57 minuta. Vetëm 20 minuta më pas ai ka patur kontaktin e fundit me kullën e Rinasit, ku ka njoftuar ndërrimin e frekuencave për të komunikuar me Brindizin në Itali.

Në ato momente, helikpoteri ndodhej mbi 40 kilometra nga brigjet shqiptare. Nuk kanë kaluar as 60 sekonda, kur ai është zhdukur nga radarët. Fillimisht, është menduar se gjithshka mund të lidhej me kuotën e ulët të fluturimit, por më pas, nga Brindizi është dhënë alarmi. Një helikopter i forcave italiane është ngritur në fluturim në orën 22.40 minuta. Kërkimet kanë vazhduar me intensitet gjatë gjithë natës nga forcat italiane, 4 anijeve dhe helikopterëve italianë. Atryre u janë bashkangjitur në orët e para të mëngjesit edhe mjete lundruese dhe helikopterë të ushtrisë shqiptare. Deri pasdite vonë, nuk ka patur asnjë rezultat. Kërkimet janë vështirësuar edhe nga kushtet e këqija të motit.

Pas mesditës, kapiteneria e portit të Barit njoftoi se ka dalluar në një zonë 40 deri 50 milje larg bregut të saj, ka dalluar njolla karburanti dhe ka intensifikuar kërkimet aty, me shpresën se ai mund të jetë vendi i tragjedisë.

Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha tha sot shpresat sa vijnë e pakësohen:

” Ndërsa ne të gjithë prisjim që Gramozi të kapërcente traumën e aksidentit, fati u tregua sërish i pamëshirshëm. Fati është fat, para tij fuqia është e pamjaftueshme. Bashkë me orët që kalojnë zbehen edhe shpesat tona për të takuar përsëri. Eshtë një fatkeqësi e jashtëzakonshme që na i mbudh zemrat me shumë dhimbje” - tha ai.

Ende zyrtarisht nuk ka asnjë të dhënë për shkaqet e aksidentit tragjik. Përkundrejt dyshimeve për pamundësitë teknike të helikpoterit për të kryer udhëtimin drejt Italisë, vecanërisht natën, Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi sqaroi se helikopteri qeveritar i plotësonte të gjitha kushtet.

"Helikopteri, AB-222 prodhim belg, ka qenë i pajisur me aparaturat e nevojshme për fluturim natën, ka fluturar sipas të gjitha rregullave të përcaktuara, që janë rregulla shumë strikte të fluturimit. Ai ka dalë nga remonti një muaj e gjysëm përpara, pra ka qenë në gjendje mjaft të mirë teknike. Sipas njoftimeve të qendrës metereologjike të forcave tona të armatosura, kushtet e motit kanë qenë normale."-tha Ministri.

Ndërsa njoftimet nga Italia flasin për një erë të fortë nga veriu, e cila papritur mbrëmë ka krijuar turbulenca të forta në ajër. Për këtë çështje ka hapur hetimet edhe prokuroria e Tiranës.

XS
SM
MD
LG