Lidhje

Grupi i Tetëshes miraton një plan veprimi për problemet që shqetësojnë botën

  • Liza Mekadams

Grupi i Tetëshes miratoi një plan të gjerë veprimi për problemet që shqetësojnë botën, përfshirë programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. Por një pjesë e mirë e vëmendjes në takim iu kushtua ngjarjeve në Lindjen e Mesme:

Ditën e tretë dhe të fundit të takimit të nivelit të lartë, ministrat e vendeve më të pasura të botës miratuan një deklaratë përfundimtare ku parashtrohej një plan veprimi për çështje të tilla si siguria e energjisë globale dhe lufta kundër terrorizmit global dhe kundër Sidës. Por pa dyshim vëmendja kryesore iu kushtua gjendjes në Izrael dhe Liban që u përshkallëzua me shpejtësi.

Në deklaratën e Grupit të Tetëshes mbi Lindjen e Mesme, e miratuar me konsensus, thuhet se më e rëndësishmja tani për të gjitha palët, është që të marrin masa urgjente për t’i dhënë fund veprimeve ushtarake. Udhëheqësit e Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Italisë, Francës, Gjermanisë, Kanadasë dhe Japonisë mbështetën gjithashtu një vendim për t’ia paraqitur shqetësimet për programin bërthamor të Iranit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në deklaratën e ministrave paralajmërohet Irani se nëse nuk kthen një përgjigje, ose nëse jep një përgjigje negative, kjo do të sjellë si rezultat rifillimin e diskutimeve në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë për Iranin, ku mund të parashikoheshin edhe sanksione ndëshkuese.

Lidhur me Korenë e Veriut, ministrat dënuan provat me raketa të kohëve të fundit dhe i kërkuan Phenianit të heqë dorë nga programet e veta bërthamore. Udhëheqësit e grupit të tetëshes i bënë gjithashtu thirrje Koresë së Veriut që të rifillojë bisedimet gjashtëpalëshe që janë bllokuar që nga fillimi i këtij viti.

Marrëveshja për të luftuar sëmundjet e rënda ngjitëse, pika e tretë mes përparësive të vendosura nga Grupi i Tetëshes bën thirrje për një bashkëpunim ndërkombëtar për mbikqyrje dhe mbajtje nën kontroll të situatës, si edhe për intensifikimin e studimeve shkencore dhe fushatave për ndërgjegjësim publik. Në marrëveshje kërkohet gjithashtu që të përmirësohet puna për parandalimin e sëmundjes dhe kurimin e atyre që kanë nevojë. Në një konferencë shtypi, Presidenti rus Vladimir Putin shprehu kënaqësinë me rezultatet e takimit të nivelit të lartë.

“Të gjitha objektivat që kishim caktuar, u plotësuan. Të gjitha dokumentat që kishim në plan të miratonim, u miratuan, praktikisht pa asnjë ndryshim”.

Presidenti Putin tha gjithashtu se e kishte realizuar premtimin që të lejonte pjesëmarrjen e grupeve të shoqërisë civile, të cilat thonë se pikëpamjet e tyre gjithnjë e më shumë po shpërfillen në Rusi. Ministrat e Grupit të Tetëshes ranë gjithashtu dakord që të forcojnë bashkëpunimin kundër terrorizmit global dhe u angazhuan të luftojnë ndaj korrupsionit qeveritar.//lk

XS
SM
MD
LG