Lidhje

Presidenti Bush shpreh përsëri shqetësim rreth krizës në Lindjen e Mesme


Presidenti Bush thotë se mbijetesa e qeverisë libaneze është shumë e rëndësishme, dhe se është i shqetësuar ngaqë Siria duket se po kërkon një mundësi për të ushtruar përsëri ndikimin e saj.

Presidenti Bush thotë se Siria duket se po përpiqet të shfrytëzojë krizën e tanishme në Lindjen e Mesme.

Ai thotë se ndërkohë që luftimet vazhdojnë ndërmjet Izraelit dhe forcave të Hezbollahut në Liban, Siria duket se po kërkon një të çarë.

Vitin e kaluar, Siria i dha fund pranisë së saj ushtarake 28-vjeçare në Liban pas trysnisë së ushtruar nga Kombet e Bashkuara. Presidenti Bush thotë se dhuna e tanishme mund të krijojë një mundësi që sirianët të kthehen përsëri.

“Mua më duket se Siria po përpiqet të hyjë përsëri në Liban. Ne miratuam rezolutën 1559 të Kombeve të Bashkuara dhe më në fund kjo demokraci e re u bë përsëri e plotë duke nxjerrë Sirinë jashtë. Ka dyshime se mungesa e stabilitetit e krijuar nga sulmet e Hezbollahut mund të bëjë që disa ta ftojnë Sirinë të kthehet dhe kjo do të ishte kundër politikës së OKB-së dhe Shteteve të Bashkuara.”

Duke folur me gazetarët pas një takimi me anëtarët e kongresit amerikan, presidenti Bush përsëriti se Izraeli ka të drejtë të vetmbrohet. Megjithatë ai tha se Izraeli duhet të ketë kujdes.

“Ne e kemi bërë të qartë se Izraeli duhet të lejohet të vetë-mbrohet. Por ndërkohë ne i kemi kërkuar Izraelit që të mos dëmtojë qeverinë libaneze të kryeministrit Siniora. Është shumë e rëndësishme që qeveria e Libanit të mbijetojë.”

Presidenti theksoi përsëri se shkaku kryesor i dhunës është Hezbollahu dhe përkrahësit e tij në Siri dhe Iran. Më parë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, tha se e ardhmja varet nga këto vende.

“Hezbollahu e filloi këtë, dhe përkrahësit e tij, Siria dhe Irani, duhet të përdorin ndikimin e tyre për ta bërë Hezbollahun që të ndrëpresë sulmet me raketa dhe të kthejë ushtarët.”

Zëdhënësi Snow tha se presidenti Bush nuk beson se presidenti sirian Bashar al-Asad po bën ç’është e mundur për të nxitur stabilitetin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se udhëheqësi sirian po bën sikur nuk shikon ndërkohë që terroristët planifikojnë dhe kryejnë operacione nga territori i tij. //ze

XS
SM
MD
LG