Lidhje

Italia nis hetimet për rrëzimin e helikopterit, ndërsa në Shqipëri hapen debate për shkaqet


Për aksidentin e helikopterit qeveritar shqiptar i cili u rrëzua mbrëmjen e së dielës ndërsa po udhëtonte drejt Italisë në bordin e të cilit ndodhej një nga figurat e njohura të jetës politike dhe publike Gramoz Pashko me të birin si dhe një mjek e tre anëtarët të ekuipazhit, ka nisur hetimet dhe prokuroria e Barit. Ndërsa në Shqipëri janë hapur debate të shumta mbi shkaqet e rrëzimit të tij. Të mërkurën pasdite ministri i Brendshëm Sokol Olldashi hodhi poshtë akuzat e Partisë Socialiste mbi parregullsi në riparimin që i është bërë atij mjeti në dhjetor të vitit të shkuar.

Krahas prokurorisë shqiptare mbi rrëzimin e helikopterit qeveritar në ujërat ndërkombëtare të detit Adriatik mbrëmjen e së dielës kanë nisur hetimet edhe në Bari të Italisë. Prokuroria e qytetit jugor italian njoftoi të mërkurën se ka marrë në dorëzim tashmë gjurmët e helikopterit në radarët e kullave të Barit dhe Brindizit.

Hetuesit kanë deklaruar paraprakisht se mjeti shqiptar nuk ka patur asnjë komunikim me dy kullat italiane të kontrollit ajror dhe se nuk ka kërkuar ndihmë prej tyre. Në të vërtetë italianët ishin të parët që dhanë alarmin, pak minuta pasi helikopteri kishte bërë komunkimin e fundit me kullën e Rinasit në orën 22.18 të së dielës. Dhe vetëm pak minuta më pas në orën 22.40 ata ngritën në fluturim helikopterin e parë të tyre për të nmisur kërkimet. Hetuesit italianë janë shprehur se sipas tyre ka disa gjëra të paqarta në atë fluturim, por nuk kanë dhënë asnjë detaj më shumë.

Në Shqipëri ndërkaq ka patur fillimisht habi për trajektoren e fluturimit. Zakonisht rruga që ndiqet është ajo nga Tirana përgjatë bregut deri në Vlorë dhe pastaj merret kthesa për në Itali duke fluturuar mbi kanalin e Otrantos. Ndërsa helikoteri Bell 222 ka ndjekur trajektoren e drejtë me destinacion Barin. Por siç saktësoi të mërkurën Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi kjo ishte bërë me kërkesë të vetë pilotëve për të shkurtuar kohën e fluturimit dhe pasi ishte marrë më parë leje nga Kulla e Beogradit që mbulon atë zonë.

Ministri Olldashi i dha këto sqarime gjatë një konference për shtyp ku ai hodhi poshtë akuzat e bëra nga Partia Socialiste se në tenderin për riparimin e helikopterit në dhjetorin e kaluar ishin konstatuar parregullsi nga kontrolli i brendshëm i Ministrisë. Por zoti Olldashi tregoi procesverbalet në të cilat është bërë marrja në dorëzim e mjetit nga vetë tekniku që ishte në bordin e tij natën e aksidentit. Ai pranoi se defekti ishte riparuar me një pjesë të përdorur por kjo sepse sic kishte shpjeguar kompania gjermane që ka kryer punimet, vetëm për arsyen se ajo pjesë nuk prodhohej më. Ministri Olldashi shtoi se nga verifikimet gjithshka ishte sqaruar dhe cështja ishte mbyllur. Ndërsa debatet dhe hipotezat mbi shkaqet e rrëzimit janë të shumta, në det po vazhdojnë kërkimet por pa asnjë rezultat.

Duke qenë se tashmë është thuajse gati e pamundur gjetja e gjurmëve nëpërmjet kontrollit të sipërfaqes së detit, që prej ditës së djeshme qeveria shqiptare i ka kërkuar Italisë, Natos dhe forcave detare amerikane përdorimin e një anijeje të specializuar ndërkohë që ka nisur kontaktet dhe me kompani të tjera britanike dhe franceze. Duket se gatishmëri ka shprehur Italia për vënien në dispozicion të operacioneve të kërkimit të anijes hidro-oqeanografike ’’Admiral Magnaghi’’. Kjo anije është e pajisur me aparaturat më moderne dhe është përdorur me sukses në operacione kërkimi, sic është rasti i vitit të kaluar ku falë ndërhyrjes së saj u bë i mundur lokalizimi i një avioni që ra në zonën e Palermos. Anija Magnaghi mundi të identifikojë mbetjet e avionit në një thellësi prej më shumë se 1400 metra.

XS
SM
MD
LG