Lidhje

Shqipëri: Sollaku mbrohet në Parlament ndaj akuzave

  • Armand Mero
  • Tiranë

Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku u paraqit sot në parlament, një javë përpara se në atë sallë të debatohet rreth raportit të Komisionit hetimor dhe të votohet kërkesa e përfaqësuesve të shumicës për ta shkarkuar atë.

Më shumë se sa një përpjekje për të kthyer rrjedhën e çështjes, fjala e tij sot ishte një mbrojtje publike përballë malit të akuzave që janë ngritur ndaj tij. Pozicioni i zotit Sollaku është bërë i qartë disa herë. Pak kohë më parë, ai i ka dorëzuar deputetëve një material voluminoz rreth 130 faqe ku ai trajton një nga një të gjitha çështjet e ngritura nga komisioni.

Ai përsëriti edhe një herë sot se procedurat e krijimit dhe veprimtarisë së komisionit hetimor ishin në shkelje të kushtetutës dhe ligjeve, duke u shprehur se sipas tij, anëtarët e shumicës nuk u morrën me verifikime, por kishin për detyrë të mbështesnin akuzat shpifëse të bëra që më parë. Edhe sot, ai trajtoi disa nga shkeljet kryesore për të cilat kërkohet largimi i tij duke i quajtur të pabaza të gjitha pretendimet e ngritura:

“Dua t’ju rigarantoj se nuk ka absolutisht asnjë rast, kur Prokurori i Përgjithshëm të ketë urdhëruar verbalisht, apo me shkrim, kryerjen e veprimeve të hallkave në varësi, në kundërshtim me ligjin. Firmëtarët e nismës së shkarkimit pretendojnë se gjatë këtyre viteve prokuroria ka dështuar në misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Dua t'ju siguroj ju dhe opinionin publik se është krejt e kundërta, progresi është i dukshëm në punën e prokurorisë”- tha Sollaku.

Përfundimet e komisionit, zoti Sollaku i ka cilësuar tërësisht të sajuara, të paravendosura dhe një raprezalje politike, duke mos kursyer sulmet e ashpra ndaj kryeministrit Sali Berisha i cili që përpara ngritjes së komisionit parlamentar e kishte akuzuar atë publikisht për lidhje me botën e krimit:

“ Etja e Ekzekutivit për të grumbulluar në duart e tij pushtet të pakufizuar, në kundërshtim me nenin 95, pika 2, të Kushtetutës, dhe për ta përdorur atë për nevojat e politikës ditore të shumicës, besoj se është shkaku i vetëm i sulmeve të egra të Kryeministrit, fillimisht kundër institucionit të akuzës që, më pas, u pasuan nga akuza dhe shpifje totalisht të falsifikuara dhe të papërgjegjshme kundër PP e familjes së tij”, - tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm u shpreh, se sipas tij, eleminimi i pavarësisë së organit të akuzës dhe vënia e tij në varësi reale të Kryeministrit ka pasoja shumë të rrezikshme dhe mund t’i hapë sipas tij, rrugë rikthimit të anarkisë:

“Sot para Jush nuk shtrohet aspak problemi i karrierës personale të Theodhori Sollakut. Unë nuk kam lindur dhe as kam ndërmend që të ndahem nga kjo botë, i ulur në karrigen e Prokurorit të Përgjithshëm. Këtu sot shtrohet problemi i pavarësisë së pushteteve, i cili është në thelb ÇËSHTJE E LIRISË. S’më mbetet tjetër, veçse t’Ju ftoj që të votoni për LIRINË dhe për riafirmimin e vlerave të saj universale”- tha Sollaku.

Votimi javën e ardhshme në parlament për shkarkimin e kryeprokurorit, nga pikëpmja e numrave që shumica zotëron, duket gati një fakt i kryer. Gjithshka më pas, do të mbetet në dorë të Presidentit, ndërkohë që pritet edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila po shyrton ankesën e bërë nga vetë zoti Sollaku.

XS
SM
MD
LG