Lidhje

Loloçi: Kuvendi ka të drejtën të emërojë dhe jo të shkarkojë anëtarët e KLD-së


Në një intervistë për programin "Ditari," konstitucionalisti Krenar Loloçi tha se si Kuvendi i Shqipërisë, edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, janë institucione kushtetuese, që zgjidhen mbi bazën e procedurave të caktuara, kanë kompetenca të përcaktuara dhe asnjëri nuk mundet të ndikojë mbi tjetrin. Ndërsa Kuvendi ka të drejtën të emërojë, tha zoti Loloçi, ai nuk ka të drejtën, t’i shkarkojë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë:

Zëri i Amerikës: Zoti Loloçi, Parlamenti duket se ka hyrë në një konflikt institucional me Këshillin e lartë të Drejtësisë, i cili dje vendosi ta konsiderojë të rregullt mandatin e dy anëtarëve ekzistues, duke mos marrë në shqyrtim emërimet e bëra nga Parlamenti. Ju, si e shikoni këtë çështje?

Krenar Loloçi: Të dyja këto janë insitutcione kushtetuese, të dyja janë institucione që zgjidhen mbi bazën e procedurave të caktuara, kanë kompetenca të caktuara dhe askush nuk mundet të ndikojë mbi tjetrin. Dëshiroj të kujtoj që ndërsa Kuvendi ka të drejtën të emërojë, ai nuk ka të drejtë, t’i shkarkojë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky është një konflikt i hapur, dhe Kuvendi ka dy mënyra për ta zgjidhur këtë konflikt në se është i pakënaqur: ose ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ose, së bashku me opozitën, të bëjë ndryshimet kushtetuese për një Këshill të Lartë të riformuar, ashtu siç dëshirohet. Dëshiroj të kujtoj këtu, meqë është fjala, që politikanët shqiptarë të kenë parasysh si skenarët e mirë, ashtu edhe skenarët e këqinj. Ka ardhur koha, tashmë, që të mendohet në këtë formë. Dua të kujtoj gjithashtu, se kam qenë thirrur nga Kuvendi në lidhje me emërimin e dy anëtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë; më kanë thënë, si është e drejta, a lejohen gjyqtarët të zgjidhen dhe i kam thënë, për hir të së vërtetës, se nuk duhet që edhe pse kushtetuta nuk e ka rregulluar tamam siç duhet juridikisht, nuk duhet të zgjidhen dy gjyqtarë, sepse kanë mjaft gjyqtarë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por, maxhoranca në atë kohë nuk na ka dëgjuar. Dëshiroj, pra, të bëj një thirrje, në kuptimin që ne si juristë, duhet t’i drejtohemi gërmës së Kushtetutës, përmbajtjes së saj. Pra asnjë organ, qoftë ky Kuvendi, nuk mund t’i kontribuojë kompetenca më shumë vehtes, nga ato që i njihen në Kushtetutë dhe në ligje. Mos të harrojmë, që situata në Shqipëri do të vazhdojë në një mënyrë të tillë dhe maxhoranca dhe opozita do të ndryshojnë vende herë pas here; prandaj, unë mendoj, që të zhveshur nga pikëpamjet politike, ne duhet të shikojmë thjesht, përmbajtjen e Kushtetutës, në mënyrë që ajo të mund ta zgjidhë dhe të mund të çojë në zgjidhje të ftohta, të mira dhe afatgjata.

Zëri i Amerikës: Por në anën tjetër, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli është shprehur se KLD-ja ka kapërcyer kompetencat e veta kushtetuese dhe ligjore, se ka cënuar sovranitetin e Parlamentit dhe se vendimi i djeshëm nuk ka vlera juridike. Cili do të ishte komenti juaj?

Krenar Loloçi: Realisht, unë përsëri do t’i referohesha Kushtetutës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, është i detyruar të zbatojë Kushtetuën dhe ligjin për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Anëtarët e Këshilli të Lartë të Drejtësisë, kanë një afat prej 5 vjetësh për kryerjen e detyrës si anëtarë të këtij institucioni. Pra, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk mund të bëjë shkarkime të anëtarëve të vet, pa patur një nga shkaqet e parashikuara, ose në Kushtetutë, ose në ligj; dhe në qoftë se do ta bënte një gjë të tillë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, atëhere me të drejtë, ai do të konsiderohej si shkelës i Kushtetutës, ose i dispozitës përkatëse ligjore. Në këto kushte, unë do ta konsideroja një kompetencë të re, që Kuvendi padrejtësisht ja ka shtuar vetes; kjo mendoj se në se do të hidhej në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo do të ishte rruga më e drejtë, do të ishte Gjykata Kushtetuese ajo që do të zgjidhte këtë konflikt në lidhje me këta dy anëtarë të KLD-së.

Zëri i Amerikës: Në këto kushte, sipas mendimit tuaj a janë zgjedhur gjykatësit në fjalë në përputhje me rregullat e nevojshme?

Krenar Loloçi: Po e përsëris edhe një herë: Kushtetuta thotë: Kuvendi ka të drejtën të zgjedhë anëtarë dy dy juristë. Në atë kohë, dhe me ligjin, që u miratua më pas, nuk pengohej Kuvendi të zgjidhte gjyqtarë. Gjithësesi, nga pikëpamja politike, nuk ishte e nevojshme që Kuvendi të zgjidhte dy gjyqtarë, sepse përbërja e KLD-së kishte 9 anëtarë të zgjedhur nga konferenca gjyësore. Pra, do të ishte mirë që në KLD të futej dhe një frymë tjetër, jashtë konferencës gjyqësore dhe jashtë përbërjes gjyqtare. Por, gaboi Kuvendi në atë kohë, në kuptimin e sotëm. Në kuptimin e atëhershëm, kjo ishte si të thuash e pavendosur dhe nuk mund të themi se kishte një shkelje të drejtpëdrejtë. E përsëris, edhe në atë kohë jemi thirrur, kemi biseduar, nuk është nevoja të përmendim emra, me juristë të maxhorancës së asaj kohe dhe i kemi sugjeruar mendimin, tonë, se nuk duhet të jenë gjyqtarë, por nuk na dëgjuan. Fakt është që zgjodhën dy gjyqtarët në mënyrë pasionante politike. Kjo është çështja e tyre. Por dëshiroj të them edhe një herë në këtë moment, se situata në Shqipëri do të ndryshojë; opozita e sotme do të kthehet prapë në pushtet, e kështu me radhë. Pra, secila mendoj se për zgjidhjen e dispozitave të caktuara duhet t’i referohen dispozitave kushtetuese. Kur të mbarojë afati i mandatit, atëhere do të rishikohet gjithshka. Sigurisht, me situatën politike të krijuar tashmë, unë mendoj se të drejtës së Kuvendit për të zgjedhur juristë dhe jo gjyqtarë, tashmë i është krijuar jo vetëm më një bazë, juridike, por edhe një bazë politike e fortë sociale. Tash e tutje, Kuvendi nuk ka për të zgjedhur më gjyqtarë, por do të zgjedhë vetëm juristë, jashtë radhëve të gjyqësorit.

Zëri i Amerikës: Duke u nisur nga këto përplasje të njëpasnjëshme, a mendoni se ka ardhur koha për disa ndryshime në Kushtetutë?

Krenar Loloçi: Kjo është një çështje, që ndoshta duhet konsideruar. Mendoj se mundet edhe të shikohen dispozita të caktuara; por me thënë që drejtën, deri më sot, çështja nuk është parë me syrin se zbatimi i Kushtetutës çalon në këtë drejtim, ose çalon në atë drejtim. Çështja është parë ndryshe. Domethënë, zbatimi i Kushtetutës ka çaluar, nuk është se nga zbatimi i Kushtetutës kanë ardhur pasoja. Unë do të thoja, se deri më sot, ne kemi patur konflikte në zbatimin e Kushtetutës dhe ato kanë qenë të karakterit politik, mjafton që të kujtojmë këtu grindjet e vazhdueshme nga fraksionet e partisë socialiste për dispozita të caktuara të Kushtetutës, që as sot e ndoshta as për 10-15 vjet nuk do të kenë nevojë për ndryshim. Pra, ende nuk është parë ndonjë dispozitë kushtetuese në realitetin praktik se ajo nuk është zbatuar siç duhet, se ajo çalon dhe se si pasojë, duhet të ndryshohet.

XS
SM
MD
LG