Lidhje

Izraeli bombardon Libanin jugor


Izraeli bombardoi sot pjesën jugore të Libanit ndërkohë që vazhdon të grumbullojë trupat dhe tanket për një pushtim të pritshëm nga toka për të luftuar ekstremistët Hezbollah. Tanket izraelite kanë formuar një front të gjatë në rrugën që kalon pranë kufirit me Libanin.

Një gazetë izraelite tha se mijëra trupa të tjera izraelite po lëvizin drejt veriut për t’iu afruar kufirit. Po sot, avionët izraelitë hodhën fletushka mbi Libanin e Jugut, duke i paralajmëruar civilët të zhvendosen në anën veriore të Lumit Litani, rreth 30 kilometra larg kufirit izraelit. Një numër i madh civilësh kanë vazhduar sot të largohen nga Libani i Jugut me makina ku kanë vendosur flamuj të bardhë.

Në Bejrut, Presidenti libanez, Emil Lahoud tha sot se ushtria libaneze do të luftojë kundër asaj që ai e quajti “forcë pushtuese” e Izraelit. Në qytetin jugor Tyre, zyrtarët varrosën mbi 70 viktima të bombardimeve të fundit izraelite. Trupat të futura në arkivolë prej druri u varrosën në një varr masiv.

XS
SM
MD
LG