Lidhje

Avionët izraelitë shkatërrojnë kullat e transmetimit në Libanin Verior


Zyrtarët libanezë thonë se avionët luftarakë izraelitë shkatërruan kullat e transmetimit për stacionet televizive dhe telefonat celularë në dy pjesë të Libanit verior.

Sulmet e sotme në Fartqa dhe Terbol ishin të fundit kundër infrastrukturës libaneze të komunikacionit që kur Izraeli filloi ofensivën kundër ekstremistëve të Hezbollahut në Liban para 11 ditësh.

Në jug, disa tanke izraelite dhe automjete të blinduara rrëzuan një mur kufiri dhe kapërcyen një pikë vëzhgimi të OKB-së ndërsa forcat izraelite grumbulloheshin përgjatë kufirit libanez. Zyrtarët izraelitë thonë se po kryejnë operacione të kufizuara nga toka kundër objektivave që nuk mund të goditen nga ajri.

Paqeruajtësit e OKB-së në kufi thonë se forcat izraelite janë në fshatin libanez të Maroun al-Rasit pranë kufirit.

Ndërkohë Hezbollahu goditi përsëri sot me raketa në drejtim të disa qyteteve në Izraelin verior, duke plagosur disa njerëz dhe duke shkatërruar makina dhe ndërtesa. Raketat goditën qytetin port të Haifas, Karmelin dhe Naharijan.

Në zhvillime të tjera, gazeta The Washington Post shkruan se administrata e presidentit Bush po dërgon me nxitim në Izrael bomba me precizion të lartë. Duke cituar zyrtarë amerikanë, gazeta vë në dukje se Izraeli kërkoi dërgimin e shpejtë të bombave. Ata janë pjesë e një pakete prej miliona dollarësh për shitje armësh, që u miratua vitin e kaluar.

//ze

XS
SM
MD
LG