Lidhje

OKB-ja dhe kriza humanitare në Liban


Izraeli e njoftoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se po hap një koridor humanitar me dy kalime për në Liban. Premtimi erdhi në përgjigje të kritikave të ashpra ndaj sulmeve izraelite në Libanin jugor.

Ndërkohë që Izraeli i vazhdoi edhe dje sulmet e tij, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u informua për kushtet që vazhdojnë të vështirësohen për civilët e mbetur në zonën e konfliktit dhe rreth saj. Por, përballë rritjes së trysnisë diplomatike, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Dan Gillerman, tha se vendi i tij po hap një koridor humanitar.

“Sapo mora njoftimin zyrtar nga Izraeli se përveç koridorit që lejon evakuimin nga Libani, do të hapet edhe një koridor tjetër humanitar në anën libaneze për të përmbushur nevojat e personave të prekur nga konflikti.”

Duke folur përpara përfaqësuesit izraelit, kreu i ndihmës humanitare në OKB Jan Egeland tha se shkatërrimi nga ana e Izraelit i rrugëve dhe urave ndërmjet Beirutit dhe Libanit jugor ka bërë që furnizimet të ndërpriten dhe rrezikohet mungesa e artikujve jetikë.

“Si rezultat i sulmeve ndaj stacioneve të naftës dhe rezervave të tyre, vlerësohet se Beiruti ka vetëm disa ditë furnizim me karburant. Problemet e hyrjes në vend po pengojnë shumë veprimtaritë humanitare. Për shkak të shkatërrimeve, është ose e pasigurt ose fizikisht e pamundur të trasnportosh furnizimet në pjesë të mëdha të vendit.”

Përfaqësuesit libanezë dhe palestinezë i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të ndërhyjë për të ndalur veprimtaritë ushtarake të Izraelit. I dërguari i posaçëm libanez Nuhad Mahmud tha se sulmet izraelite e kishin kthyer vendin e tij në një zonë tragjedie. Duke folur përmes një përkthyesi, ai tha se autoritetet libaneze do të kërkonin reparacione të plota.

“Jetët dhe të drejtat e njerëzve nuk mund të merren kaq lehtë. Duhet t’i jepet fund shkatërrimit të asaj që kanë ndërtuar njerëzit. Mjaft me vrasje. Mjaft me poshtërimin dhe zhvendosjen e njerëzve të pafajshëm. Mjaft më me luftra që u lënë brezave të ardhshëm vetëm urrejtje dhe armiqësi.”

Por në fjalën e tij para Këshillit, ambasadori amerikan në OKB John Bolton i hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim pa kushte.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë besim se një armëpushim pa kushte në vetvete mund të respektohej nga Hezbollahu. Ai do t’i lejonte ata të rigrupoheshin dhe të planifikonin valën e ardhshme të rrëmbimeve dhe të sulmeve kundër Izraelit.”

Izraeli i filloi goditjet e tij pasi ekstremistët e Hezbollahut filluan një sulm nga përtej kufirit dhe kapën dy ushtarë izraelitë. Hezbollahu vazhdon të hedhë raketa në Izraelin verior.

Një ekip tre-anëtarësh i OKB-së i cili sapo u kthye nga kryeqytetet e Lindjes së Mesme konfirmoi se një armëpushim i shpejtë nuk duket i realizueshëm. Drejtuesi i këtij ekipi Vijay Nambiar tha se Izraeli refuzon të zhvillojë negociata nëpërmjet një pale të tretë me ekstremistët e Hezbollahut për lirimin e ushtarëve të rrëmbyer, siç kanë bërë në të kaluarën.

“Është deklaruar se pengjet izraelite duhet të lirohen pa kushte, dhe se këtë herë Izraeli nuk është i gatshëm të negociojë me Hezbollahun nëpërmjet një pale të tretë, gjë që në të kaluarën është bërë nëpërmjet shkëmbimeve të të burgosurve.”

Sekretari i përgjithshëm Kofi Anan mori pjesë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pati parmbrëmë një darkë private me sekretaren amerikane të shtetit Kondoliza Rajs. Megjithatë dje ai iu shmang gazetarëve. Një zëdhënës tha se ai preferon që t’u qëndrojë komenteve të tij të mëparshme. Në një fjalim para Këshillit të Sigurimit pardje, zoti Anan bëri thirrje që konfliktit në Lindjen e Mesme t’i jepet fund menjëherë. Por në të njëjtën kohë, ai tha se parashikon pengesa serioze për arritjen e një armëpushimi ose që t’i jepet fund dhunës. //ii

XS
SM
MD
LG