Lidhje

Bush: Hezbollahu - përgjegjës për dhunën në Lindjen e Mesme


Presidenti Bush dhe sekretarja e shtetit Condoleezza Rice do të takohen me diplomatë të lartë sauditë nesër për të diskutuar mbi vazhdimin e dhunës midis Izraelit dhe ekstremistëve të grupit Hezbollah përgjatë kufirit libanez. Sekretarja Rice do të niset për në Lindjen e Mesme, ku do të zhvillojë bisedime me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Presidenti Bush tha se po dërgon sekretaren Rice në Lindjen e Mesme të takohet me udhëheqësit rajonalë për të gjetur mënyrën më të mirë për zgjidhjen e konfliktit.

“Sekretarja Rice do ta bëjë të qartë se zgjidhja e krizës kërkon konfrontimin e grupit terrorist që po ndërmerr sulme dhe të vendeve që e përkrahin atë”.

Kjo nënkupton Sirinë dhe Iranin, të cilat presidenti tha se ndihmojnë me armë Hezbollahun.

“Veprimet e tyre kërcënojnë mbarë Lindjen e Mesme dhe pengojnë rrugën për zgjidhjen e krizës së tanishme dhe për të krijuar një paqe të qëndrueshme në rajonin e trazuar”.

Presidenti Bush vazhdon të kundërshtojë një armëpushim që e le Hezbollahun në jug të Libanit nga ku mund të ndërmarrë sulme të tjera kundër Izraelit. Ofensiva e Izraelit filloi kur Hezbollahu rrëmbeu dy ushtarë izraelitë dhe vrau tetë të tjerë në sulmin e 12 korrikut në Izrael. Zoti Bush tha se një armëpushim i tillë i brishtë do të çojë si rezultat në më shumë dhunë.

“Në aspektin afatgjatë kjo paqe do të vijë vetëm në se mposhtim ideologjinë terroriste të urrejtjes dhe frikës. Shpresa më e mirë e botës për siguri dhe qëndrueshmëri afatgjatë në mbarë Lindjen e Mesme është krijimi i shoqërive të drejta dhe të lira. Amerika dhe aleatët tanë do të veprojnë me vendosmëri pasi kuptojmë se siguria jonë është në rrezik dhe dimë se kauza e lirisë do të triumfojë”.

Që nga fillimi i luftimeve presidenti Bush ka shprehur shqetësim rreth ndikimit që këto luftime do të kenë në qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Libanit.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se kjo është një periudhë e vështirë dhe njëkohësiht provë për popullin libanez.

“Praktika e Hezbollahut për të fshehur raketat në lagjet e banuara nga civilë dhe përpjekjet e tij për të minuar qeverinë e zgjedhur në rrugë demokratike kanë treguar se ky grup nuk ja do të mirën Libanit. Me këto veprime Hezbollahu ka vënë në udhëkryq përparimin e madh të Libanit dhe ka tradhëtuar popullin libanez”.

Gjatë udhëtimit të saj në Lindjen e Mesme, Sekretarja Rice do të ndalojë në Romë për bisedime me zyrtarë nga një grup i formuar për të mbështetur qeverinë e Libanit. Ky grup përfshinë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë, Libanin, Bashkimin Evropian, Rusinë, Egjiptin, Arabinë Saudite, Italinë, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore.

Para se të largohet, zonja Rice dhe presidenti Bush do të zhvillojnë bisedime në Shpëtinë e Bardhë me ministrin e jashtëm saudit, princin Saud al-Faisal dhe kreun e këshillit të sigurisë kombëtare të Arabisë Saudite, princin Bandar bin Sultan.

XS
SM
MD
LG