Lidhje

Kina dhe Korea e Veriut: sa peshë ka Pekini për të bindur Penianin?


Gjatë disa viteve të fundit, Kina ka qenë një ndër lojtarët kryesorë në bisedimet gjashtëpalëshe që synojnë të bindin Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi i saj i armëve bërthamore. Por sa peshë ka Pekini për ta bindur Penianin të kthehet në tryezën e bisedimeve?

Thuhet shpesh se Kina është aleati më i fortë i Koresë së Veriut dhe burimi më i madh i mbështetjes për Penianin në komunitetin ndërkombëtar. Daniel Sneider, ekspert për Kinën në Universitetin Stanford të Kalifornisë, thotë se dy vendet kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh të ngushta mes tyre.

"Ishin kinezët që ndërhynë në vitin 1950 për ta shpëtuar Korenë e Veriut që ajo të mos zhdukej nga faqja e dheut në duart e gjeneralit Makartur. Pas kësaj, kinezët kanë qenë aleatë të Koresë së Veriut për dekada me radhë - ata e furnizonin atë me armatime dhe me ndihma. Ata ishin aleatë ideologjikë."

Dy vendet kanë një kufi të përbashkët prej 136 kilometrash dhe në Kinën verilindore ka një pakicë të madhe koreane. Në aspektin ekonomik, Pekini është furnizuesi më i madh i Penianit me ushqime dhe me energji. Daniel Pinkston, specialist për Korenë në Qendrën e Mospërhapjes Bërthamore në Monterey të Kalifornisë, thotë se kompanitë kineze bëjnë tregti me Korenë e Veriut në nivele të ndryshme.

"Tregtinë kryesore të grurit dhe të naftës e bëjnë firma shumë të mëdha që janë kompani shtetërore. Pastaj janë firmat më të vogla dhe shumë më të vogla që merren me tregti ndërkufitare."

Megjithë këto lidhje ekonomike dhe historike, thonë ekspertët, marrëdhëniet midis Kinës dhe Koresë nuk janë aspak të ngrohta. Ja ç’thotë Jim Walsh, ekspert i sigurisë në Institutin Teknologjik Massachusetts, i cili ka qenë qenë disa herë në Korenë e Veriut.

"Kur isha në Korenë e Veriut, kuptova se koreanoveriorët edhe i duan edhe nuk i duan kinezët. Ata ndjejnë një lidhje emocionale dhe historike me Kinën, lidhje e lindur në histori dhe në gjak. Nga ana tjetër ata e shohin veten si një vend i vogël i rrethuar nga gjigantë. Prandaj ata janë të kujdesshëm dhe dyshues."

Daniel Sneider dhe të tjerë thonë se shembulli i fundit i përpjekjeve të Koresë së Veriut për të treguar një farë pavarësie nga Kina ishte prova e Penianit me raketa më 4 korrik të këtij viti. Adam Segal, ekspert për Kinën në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë thotë se shumica e raketave ishin me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi ndërsa njëra ishte balistike me rreze të gjatë e quajtur Taepodong-2, e cila teorikisht mund të arrinte deri në Shtetet e Bashkuara.

"Shtetet e Bashkuara e analizuan për një kohë të gjatë kërë lloj rakete. Por raketat e tjera kishin një rreze veprimi që mund të arrijë Kinën. Pra është e qartë se ky mund të ishte një mesazh për Kinën dhe Korenë e Veriut."

Ekspertët thonë se provat me raketa e vunë në pozitë të vështirë Kinën sepse Pekini publikisht i kishte kërkuar Koresë së Veriut që të mos i bënte provat. Analistët thonë se provat me raketa e detyruan Kinën të votonte në favor të një projektrezolute të OKB-së që i dënonte këto veprime të Penianit. Por Kina ra dakord me tekstin e projektrezolutës vetëm pasi u hartua një variant më i zbutur i saj. Daniel Sneider thotë se kinezët gjithmonë kanë qenë kundër rezolutave që kanë kërkuar sanksione të forta kundër Penianit, nga frika se masa të tilla mund të destabilizojnë rajonin.

"Ata janë të shqetësuar nga mundësia e një konflikti të shkaktuar nga Korea e Veriut ose nga Shtetet e Bashkuara. Ata duan stabilitet prandaj në një farë mase duan ta ruajnë regjimin që është në fuqi në Penian ndërkohë që e inkurajojnë atë të reformohet."

Ekspertët mendojnë se nëse ka një vend që mund ta bindë Korenë e Veriut të rifillojë bisedimet rreth programit të saj të armëve bërthamore, ky vend është Kina. Megjithëse, thonë ata, ndikimi i Pekinit mbi Penianin është i kufizuar, Kina përsëri ka një farë ndikimi, sidomos në aspektin ekonomik. Analistët besojnë se qeveria kineze po përpiqet tani të peshojë se sa presion duhet të ushtrojë mbi Korenë e Veriut pa shkaktuar prishje të stabilitetit dhe ndoshta një krizë më të rëndë. //ii

XS
SM
MD
LG