Lidhje

Sekretarja Rajs bën një vizitë të papritur në Liban


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs bëri sot një vizitë të papritur në Bejrut për të biseduar mbi krizën me Kryeministrin e Libanit, Fuad Siniora rreth ofensivës izraelite kundër Hezbollahut në Liban.

Zonja Rajs falenderoi udhëheqësin libanez për kurajon dhe vendosmërinë e tij dhe tha se është shumë e shqetësuar për ato që po kalon populli libanez. Pas Beirutit, zonja Rice u nis për në Izrael ku zyrtarët amerikanë thonë se ajo do të japë njoftimin për ndihmë humanitare amerikane për Libanin.

Ajo shkoi në Beirut nga Qiproja me një helikopter të blindur rëndë për të filluar udhëtimin në rajon, që pritet gjithashtu të përqendrohet në ndihmat për civilët libanezë.

Nesër ajo takohet me Kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe më pas do të shkojë në Bregun Perëndimor për bisedime me Presidentin Palestinez Mahmud Abas. Pas Bregut Perëndimor, zonja Rice do të shkojë në Romë për bisedime të mëtejshme për krizën me zyrtarë evropianë, arabë dhe të Kombeve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan thotë se pjesëmarrësit në takim duhet të bien dakord për një strategji konkrete për t’i dhënë fund dhunës. Në Londër, Kryeministri britanik Toni Bler e quajti gjendjen në Liban katastrofike dhe tha se shpreson që brenda pak ditësh të shpallet një plan për ndalimin e luftimeve.

Gjatë udhëtimit për në Lindjen e Mesme, zonja Rajs tha se çdo armëpushim duhet të arrihet duke patur parasysh shkaqet e konfliktit të tanishëm, kërcënimin që përbën Hezbollahu për Izraelin.//lk

XS
SM
MD
LG