Lidhje

Sekretarja Rajs sot në Izrael për bisedime


Sekretarja amerikane e shtetit kondoliza Rajs arrin sot në Izrael ku do të fillojë një seri bisedimesh rreth konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Zonja Rajs ka në plan të takohet në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe në Bregun Perëndimor me Presidentin Palestinez Mahmud Abas.

Dje, ambasadori i Shteteve të Bashkuarab në OKB, Xhon Bolton, i tha televizionit Fox News se zonja Rajs po shkon në rajon për të bindur të tjerët se nevojitet një formulë afatgjatë që t’u japë zgjidhje shkaqeve thelbësore të dhunës.

Zonja Rajs ka thënë se në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut duhet të arrihet një armëpushim sa më shpejt që të jetë e mundur por jo para se të jenë pjekur kushtet për një armëpushim të tillë.

Të mërkurën ajo do të shkojë në Romë për bisedime mbi krizën me zyrtarë evropianë dhe arabë.

DIPLOMACI NE UASHINGTON

Presidenti Bush u takua privatisht dje në Shtëpinë e Bardhë me diplomatë të lartë sauditë, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një formule që t’i japë fund gjakderdhjes midis Izraelit dhe grupit ektremist Hezbullah me bazë në Liban. Takimi u zhvillua vetëm disa orë përpara se sekretarja e shtetit, Kondoliza Rajs të nisej për në rajon.

Presidenti Bush dhe sekretarja Rajs u takuan për afro një orë me ministrin e jashtëm saudit, Saud Al-Faisal, dhe princin Bandar Bin Sultan, kreu i Këshillit Kombëtar Saudit për Çështjet e Sigurisë. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura pa deklarata publike, por ministri i jashtëm saudit foli shkurtimisht me gazetarët pas takimit. Ai tha se i kishte dorëzuar presidentit Bush një letër nga mbreti saudit Abdullah, ku bëhej thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

“Ne kërkuam një armëpushim për ndalimin e luftimeve që do të lejonte ndërtimin e forcave të Libanit.”

Ministri i jashtëm Saud tha se shqetësimi kryesor është mbrojtja e sovranitetit të Libanit, duke shtuar se presidenti Bush është në dijeni të numrit të viktimave në radhët e popullit libanez.

“Presidenti Bush është i vetëdijshëm për shkatërrimin dhe gjakderdhjen që po vuan populli libanez dhe kërkon ndërprerjen e luftimeve.”

Por administrata e presidentit Bush është shprehur se një armëpushim i menjëhershëm nuk do të ishte zgjidhje dhe se e vetmja rrugëdalje për një paqe të qëndrueshme do të ishte çarmatimi i Hezbullahut dhe ndërkohë forcimi i qeverisë libaneze.

Më parë, ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton, i tha rrjetit televiziv Fox News, se sekretarja Rajs do të shkojë në rajon për të bindur të tjerët se nevojitet një zgjidhje e cila të trajtojë shkaqet e dhunës.

“Duhet të mendojmë për një qëndrueshmëri afatgjatë, u shpreh zoti Bolton. Ndoshta ekziston shansi që kjo të arrihet, por problemi duhet trajtuar gradualisht.”

Në komentet që bëri më vonë për rrjetin televiziv CNN, zoti Bolton u pyet rreth deklaratave se Izraeli mund të lejojë praninë e një force ndërkombëtare përgjatë kufirit me Libanin, nën komandën e NATO-s. Ai tha se kjo ishte një ide e re dhe e vlente për t’u marrë seriozisht në konsideratë.

“Mendoj se të gjithë duhet të sjellim mendime të reja, por ato duhet të shihen brenda zgjidhjes më të gjerë politike e cila po kërkohet nga sekretarja Rajs.”

Ndërkohë shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Xhosh Bolten, tha në rrjetin NBC se prania e trupave të NATO-s është një rrugë e mundëshme për t’u dhënë fund luftimeve, por shtoi se vështirë që trupat amerikane të marrin pjesë.

"Sekretarja Rajs, tha se nuk e kishte shqyrtuar aspak një mundësi të tillë, por ajo do të bisedojë me miqtë dhe me aleatët nëse dërgimi i trupave ndërkombëtare do ishte një rrugë e përshtatshme dhe si do të përbëheshin ato."

Zonja Rajs ka në plan të këshillohet në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Ehud Olmert dhe në Bregun Perëndimor me presidentin palestinez, Mahmud Abas. Ajo do të shkojë në Romë të mërkurën për bisedime mbi krizën në Lindjen e Mesme me zyrtarë evropianë dhe arabë.//ii

XS
SM
MD
LG