Lidhje

Grupi i Kontaktit e cilëson takimin e Vjenës një hap të madh drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës


Grupi i Kontaktit, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja ndoqën raundin e parë të bisedime të drejt për drejta për satusin e Kosovës sot në Vjenë, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari. Në deklaratën e tij Grupi i Kontaktit thotë se takimi i sotëm ishte një hap i madh përpara në procesin e zgjidhjes së çështjeve kryesore.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dhe Kryeministri, Vojisllav Koshtunica, ishin përfaqësuesit e Beogradit në bisedime, ndërsa Prishtina u përfqësua nga grupi negociator i kryesuar nga Presidenti Fatmir Sejdiu. Grupi i Kontaktit rithekson angazhimin e tij ndaj procesit të statusit të përvijuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe ndaj qendrimit të shprehur në deklaratën ministrore të 31 janarit.

Grupi i kontaktit mbështet vendimin e zotit Ahtisari për të kaluar në fazën tjetër të rëndësishme të procesit, që beson se do të çojë në një propozim gjithëpërfshirës për përcaktimin e statusit. Grupi i Kontaktit përshëndet përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për hartimin e një propozimi që do të shërbente si bazë e shëndoshë për një Kosovë demokratike dhe shumëetnike, ku të mbrohen plotësisht të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Grupi i kontaktit thekson se është në interesin si të Beogradit, ashtu edhe të Prishtinës, që t’i shqyrtojnë seriozisht propozimet e njeri tjetrit dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme në të gjitha aspektet e procesit, për të arritur një zgjidhje realiste, të pranueshme nga dy palët.

Një nga qëllimet kryesore të komunitetit ndërkombëtar është krijimi i kushteve, që të gjitha etnitë në Kosovë të mund të jetojnë në një shoqëri shumë-etnike. Për krijimin e këtyre kushteve, thuhet në deklaratën e Grupit të Kontaktit, mbështetja e plotë e Serbisë ka rëndësi jetike.

Në deklaratë vihet në dukje me shqetësim gjendja në pjesën veriore të Kosovës, veçanërisht në tre komunat që kanë prerë lidhjet me Institucionet Provizore Vetqeverisëse.

Gupi i Kontakti u bën thirrje të dy palëve të tregohen të përmbajtura dhe të kuptueshme në këtë fazë të negociatave dhe të bashkmëpunojnë plotësisht me UNMIK-un, K-FOR-in dhe Shërbimin Policor të Kosovës.

Grupi i Kontaktit përshëndet vendosjen e trupave shtesë të NATO-s në veri të Kosovës dhe thekson se nuk do të ketë ndarje të saj apo manovra të tjera që do të krijonin ndarje. Në deklaratë theksohet gjithashtu se duhen bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje këtë vit, që të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës dhe që të mbështesë një shoqëri shumë-etnike me një të ardhme për gjithë banorët e saj.

Grupi i Kontaktit shpreh besimin e tij të plotë se zgjidhja e statusit të Kosovës do të forcojë stabilitetin rajonal dhe do t’i hapë rrugën Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit për t’u integruar në struktuarat evropiane dhe euroatlantike. Grupi i kontaktit thekson angazhimin e tij për mbështetjen dhe vëzhgimin e zbatimit të marrëveshjes për statusin përfundimtar të Kosovës.//lk

XS
SM
MD
LG