Lidhje

Presidenti Bush takohet sot me kryeministrin e Irakut Nouri al-Maliki


Presidenti Bush takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin e Irakut Nouri al-Maliki. Bisedimet zhvillohen në një kohë kur në Irak vazhdon dhuna sektare.

Presidenti Bush dhe kryeministri Al-Maliki do të përpiqen të gjejnë rrugët për të siguruar kryeqytetin Bagdat. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Snou tha se plani i sigurimit i vënë në zbatim në Bagdat para gjashtë javësh nga qeveria e zotit Maliki nuk ka dhënë rezultate. Ai tha se presidenti dhe kryeministri do të kërkojnë rrugë të tjera për t’i dhënë fund dhunës në kryeqytet.

"Ne e kuptojmë se ai ka shumë punë përpara për të siguruar Bagdatin dhe kjo duhet bërë në atë mënyrë që të garantojë stabilitetin në qytet, që njerëzit të mund të jetojnë pa frikën e terrorizmit."

Zoti Snou u tha gazetarëve se gjendja e sigurisë në Bagdat mbetet një problem i madh megjithëse në pjesët e tjera të vendit kushtet po përmirësohen.

"Ka pjesë të Irakut ku jeta vazhdon me një shkallë të mjaftueshme normaliteti, ku njerëzit gëzojnë shanse më të mëdha ekonomike, gëzojnë frytet e demokracisë. Problemi është në Bagdat dhe ka rëndësi të madhe që të bëhen përpjekje për zgjidhjen e tij."

Ka shenja se një alternativë që po shqyrtohet është dislokimi i trupava amerikane dhe irakiane nga pjesë të tjera të vendit në Bagdat. Snou refuzoi të thoshte nëse njoftimi do të bëhej gjatë vizitës së zotit Maliki. Por ai konfirmoi se udhëheqësi irakian ishte konsultuar me Gjeneralin Xhorxh Kejsi, komandanti i trupave amerikane në Irak.

Zoti Maliki erdhi në Uashington nga Londra ku u takua me kryeministrin britanik Toni Bler. Në Londër, ai konfirmoi një raport të Kombeve të Bashkuara sipas të cilit në muajt maj dhe qershor në Irak kanë vdekur mesatarisht 100 njerëz në ditë.

Duke komentuar për radion britanike, kryeministri irakian tha se militantët që përpiqen ta tërheqin vendin drejt luftës civile duhen ndaluar.

Këtu në Uashington, anëtarët e Kongresit që e kritikojnë administratën e Presidentit Bush thonë se lufta civile në Irak tashmë ka filluar. Në konferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, zoti Snou tha se komentet e tyre ka mundësi të kenë marrë shkas nga fakti që ky vit është vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara. //ii

XS
SM
MD
LG