Lidhje

Korrupsioni, një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror


Rryshfetet, nepotizmi dhe forma të tjera të korrupsionit ekzistojnë në një formë apo një tjetër në të gjitha vendet. Por efekti i tyre ndihet më shumë në vendet e varfëra. Banka Botërore e konsideron korrupsionin një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Banka thotë se korrupsioni minon shtetin ligjor dhe dobëson themelet institucionale për rritjen ekonomike. Po çfarë është ky fenomen, ku përhapet më shumë dhe si mund të ndalohet? Të ndjekim materialin në vazhdim, pjesë e një serie për korrupsionin:

Ish-shefi i zbulimit i Perusë Vladimiro Montesinos shfaqet duke i paguar rryshfet një kongresmeni. Videoja e xhiruar fshehtas nga vetë Montesino arriti të bjerë në dorën e medias në shtator 2000. Skandali shkaktoi rënien nga pushteti të Presidentit Alberto Fujimori, pas 10 vjetësh regjimi autokratik. Skandali Montesinos dhe fati i qeverisë Fujimori janë raste të pastra të efektit gërryes të korrupsionit.

“Korrupsioni është diçka që na prek të gjithëve. Nuk ka vend që të mos përballet me sfidën e kontrollit ndaj korrupsionit”.

Nansi Bosuell drejton zyrën e organizatës Transparency International në Shtetet e Bashkuara.

“Gjithmonë ka për të pasur njerëz të korruptuar. Nuk ma merr mendja që ndonjëri prej nesh beson se ka vende me më shumë kulturë korrupsioni dhe të tjera me më pak. Çështja është a kanë qenë në gjendje të zhvillojnë mekanizmat institucionale për ta kontrolluar atë”.

Korrupsioni merr shumë forma: që nga rryshfeti për policinë ose zyrtarë të qeverisë, tek informimi i paligjshëm mbi bursën, tek nepotizmi në punësim si në sektorin publik edhe atë privat. Disa ekspertë vlerësojnë se çdo vit paguhen mbi një trilion dollarë në ryshfete një praktikë që ka efekt veçanërisht tek të varfrit. Ja ç’thotë ekspertja Louise Shelley:

“Një ekonomi e fortë si ajo e Italisë mund t’i përballojë 5 për qind ose 7 për qind të paguara nga rryshfetet. Por një ekonomi më e dobët që humb një shifër të ngjashme do të jetë në gjendje më të keqe”.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të imunizuara nga korrupsioni. Kongresmeni Rendi Djuk Kunnngam dha dorëheqjen vitin e kaluar dhe u dënua me burg se kishte marrë ryshfete që kapnin shifrën 2 milionë dollarë.

Por eskpertët thonë se korrupsioni lulëzon në diktatura si ato në Bjellorusi dhe Birmani, ku nuk ka transparencë, shtyp të lirë dhe qytetarët pothuajse nuk kanë të drejta. Louise Shelley përmend Revolucionin e vitit 2003 në Gjeorgji si shembull të mobilizimit të qytetarëve për të rrëzuar një qeveri të koruptuar dhe autoritare.

“Duhet të kesh qytetarë që nuk e durojnë dot më korrupsionin dhe duan ndryshim dhe që të jenë të gatshëm të ndryshojnë sjelljen për të mos qenë bashkëpunëtorë në korrupsion”.

Korrupsioni rrezikon më shumë vendet në zhvillim. Transparensy dhe organizata të tjera thonë se këto vende duhet ta çrrënjosin atë, nëse shpresojnë të lënë pas mungesën e zhvillimit dhe varfërinë.

XS
SM
MD
LG