Lidhje

Presidenti i Irakut mban sot një fjalim para kongresit amerikan


Fjalimi i kryeministrit al-Maliki mbahet ndërkohë që vazhdojnë sulmet e kryengritësve në Bagdat dhe gjetkë në Irak, gjendje kjo që si ai edhe presidenti Bush ishin të një mendimi në bisedimet që zhvilluan dje në Shtëpinë eBardhë se kërkon dislokimin e trupave amerikane shtesë në atë vend.

Ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën me fjalimet e udhëheqësve të vendeve, që administrata e presidentit Bush i përshkruan si vende në frontin e luftës kundër terrorizmit, zoti al-Maliki pritet të shprehë mirënjohje për përpjekjet e ushtarëve amerikanë në Irak, të paktën të 2 mijë e 500 prej tyre, që janë vrarë në atë vend.

Senatori Jack Reed thotë se pret të dëgjojë fjalë të tjera nga udhëheqësi irakian.

“Ai duhet të tregojë aftësinë e tij, politikisht dhe ushtarakisht, për të mposhtur milicitë, për të reformuar qeverinë e tij. Kjo është diçka që ai duhet të angazhohet më së miri. Ai duhet gjithashtu të angazhohet që me ndihmën tonë të krijojë një qeveri të aftë e jo të korruptuar. Gjithashtu duhet të tregojë se është me të vërtetë i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha partitë, e veçanërisht me elementët suni.”

Por kur të mbajë sot fjalimin para Senatit dhe Dhomës së Përfaqësusve, kryeministri al-Maliki do të përballet me pakënaqësinë, që ai shkaktoi me komentet e tij mbi konfliktin midis Izraelit dhe luftëtarëve Hezbollah në Liban.

Në një letër që i dërgoi udhëheqësit irakian, demokratët e senatit thonë se janë të shqetësuar nga komentet e tij më 19 korrik në të cilat ai dënoi atë që e cilësonte si agresion izraelit.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Harry Read, thotë se kryeministri irakian duhet ta shfrytëzojë fjalimin e tij sot që të sqarojë komentet e 19 korrikut. I këtij mendimi është edhe senatori Richard Durbin.

“Ne shpresojmë që kryeministri al-Maliki, në se do të qëndrojë para nesh për të mbajtiur fjalimin e tij para të dy dhomave të kongresit amerikan, ta bëjë të qartë se ai dënon terrorizmin jo vetëm në Irak, por edhe kur vjen nga Hezbollahu.”

Demokratët në Dhomën e Përfaqësusve i bënë thirrje udhëheqjes republikane që të anullojë fjalimin e udhëheqësit irakian në rast se ai nuk kërkon të falur për komentet e tij dhe të kryetarit të parlamentit irakian.

Udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësusve, Nancy Pelosi, tha se dështimi i kryeministrit al-Maliki për ta shfrytëzuar paraqitjen në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush që të tërhiqte komentet e tij rreth Izraelit e bën të papërshtatshme që ai të ketë nderin të mbajë një fjalim para kongresit amerikan.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley u bëri thirrje ligjvënësve që të mos humbasin mundësinë të dëgjojnë nga udhëheqësi irakian hollësitë e planeve të qeverisë së tij.

“Shpresoj që diskutimi i gjendjes në Liban, megjithëse është shumë i rëndësishëm, të mos na bëjë të humbasim mundësinë për të dëgjuar nga ky njeri planet e tij për të ardhmen.”

Ndërkohë, 4 anëtarë të Dhomës së Përfaqësusve, që sapo u kthyen nga Lindja e Mesme, thonë se qeveritë e moderuara arabe duhet të ndihmojnë në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për t’u dhënë fund luftimeve në Liban.

Republikani Pete Hoekstra, i cili kryeson komisionin e Dhomës së Përfaqësusve për çështjen e zbulimit, thotë se udhëheqësit rajonalë e pranojnë rrezikun e terrorizmit, që mbështetet nga Irani dhe Siria, dhe duhet të jenë pjesë e zgjidhjes.

Në një raport të ri, grupi kërkimor me bazë në Uashington, Qendra për Përparimin Amerikan, thotë se dështimi i administratës së presidetit Bush për të stabilizuar Irakun ka shmangur vemendjen e Shteteve të Bashkuara nga pika të tjera të trazuara të globit si Afganistani, Koreja e Veriut dhe Irani.

Dje senatori Reed e cilësoi këtë raport si serioz dhe tha se lufta në Irak ka dëmtuar fleksibilitetin e ushtrisë amerikane për t’iu përgjigjur krizave të tjera në botë. //ze//

XS
SM
MD
LG