Lidhje

Antikorrupsioni në tranzicion, cilat vende po shënojnë sukses dhe përse


Korrupsioni në ish-vendet komuniste të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore ka shënuar ulje në vitin 2005 krahasuar me 3 vjet më parë, thuhet në një studim të fundit të Bankës Botërore të bërë publik sot.

Raporti i titulluar "Antikurrupsioni në Tranzicion, Cilat Vende po Shënojnë Sukses dhe Përse?", është i treti i kësaj natyre që nga viti 2000, që shqyrton prirjet e korrupsionit në ish vendet komuniste. Në 16 vjetët që pasuan rënien e komunizmit, thuhet në raport, pak çështje kanë qënë më të përfolura se korrupsioni. Ndërsa në fillim të viteve 90-të korrupsioni përmendej rallë, në fund të dekadës, ai ishte shndërruar në sfidën kryesore që pengonte përparimin në shumë vende. Korrupsioni është sot një prej elementëve kryesorë që mbizotëron në negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Mes vendeve që kanë shënuar përparimin më të madh në luftën kundër korrupsionit, thuhet në raport, janë Gjeorgjia dhe Sllovakia. Sipas Bankës Botërore, ndonëse prirja e përgjithshme e kurrupsionit është drejt uljes, kjo nuk mund të thuhet për çdo vend të veçantë. Në disa vende si në Shqipëri, Serbi e Mal të Zi, dhe Kirgistan korrupsioni është keqësuar në vitin 2005 krahasuar me 2002. Shqipëria dhe Kirgistani, thuhet në raport, kanë treguesit më të ulët të 33 vendeve të analizuara. Në Shqipëri thuhet në raport, korrupsioni është kthyer në një sistem të sofistikuar me kapje shteti, evazion fiskal dhe rryshfete të niveleve dramatike.

Intervistë me bashkautoren e studimit Cheryl Gray, Drejtoreshë e zyrës së Bankës Botërore për Uljen e Varfërisë dhe Menazhimin Ekonomik në Evropë dhe Azinë Qendore.

Zëri i Amerikës: Zonja Grej, në raportin tuaj ju thoni se ekziston një marrëdhënie ndërmjet prodhimit të përgjithshëm kombëtar për frymë dhe shkallës së korrupsionit së një vendi. Megjithatë, Shqipëria duket disi e mënjanuar nga kjo prirje. Si e shpjegoni këtë?

Cheryl Gray: Po, ka një lidhje të qartë ndërmjet këtyre dy treguesve. Zakonisht vendet më të pasura kanë nivele më të ulta korrupsioni, megjithatë vendet ndryshojnë nga njëri-tjetri përsa i përket kësaj: për çdo nivel të ardhurash për frymë, disa vende janë më shumë a më pak të korruptuara. Kjo mund të shpjegohet me faktin se vendet kanë karakteristika të ndryshme, institucione të ndryshme dhe kultura të ndryshme. Është gjithashtu e vërtetë se Shqipëria ndodhet disi më larg prirjes kryesore: për të ardhurat për frymë, krahasuar me vendet e tjera, niveli i korrupsionit atje është më i lartë. Faktor kryesor janë politikat e ndjekura dhe raporti ynë flet për politika ekonomike që çojnë drejt transparencës, ndjenjës së përgjegjësisë, të cilat e pakësojnë mundësinë për trajtim të privilegjuar për disa firma apo individë. Kështu politikat publike dhe ekonomike, sistemet ekonomike mund të kenë rezultat në pakësimin e mundësive për korrupsion dhe për t’i bërë sistemet më transparente.

Zëri i Amerikës: Zonja Grej, në raportin tuaj theksohet gjithashtu se kryeministri Sali Berisha erdhi në pushtet përmes një fushate premtimesh për luftë kundër korrupsionit?

Cheryl Gray: Angazhimi kryesor i qeverisë ishte zgjidhja e këtij problemi. Ata e kuptuan se qytetarët ishin të pakënaqur dhe se korrupsioni po pengonte zhvillimin e vendit. Disa prej ministrave të rinj u treguan shumë të angazhuar ndaj luftës kundër korrupsionit dhe kjo është tejet e rëndësishme. Vende të tjera, ku në pushtet qeveria erdhi përmes platformash të fuqishme kundër korrupsionit dhe që po përpiqen seriozisht në këtë drejtim, po bëjnë hapa të mëdhenj përpara. Përsa u përket këshillave për qeverinë, Banka Botërore po punon nga afër me Shqipërinë për të zbatuar politika të përshtatshme, për shembull, në fushën e shërbimit civil. Shqipëria ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të reformuar shërbimin civil duke rritur rrogat e zyrtarëve publikë, duke i punësuar apo shkarkuar njerëzit në bazë të meritës dhe me transparencë dhe Shqipëria është një nga modelet në rajon për krijimin e një shërbimi të mirë civil. Kontrollohen me kujdes shpenzimet dhe administrimi i fondeve publike përmes rregullash të mira kontabël dhe të revizionit. Edhe në sektorin e taksave dhe doganave Shqipëria po përpiqet të zbutë korrupsionin. Po kështu i duhet të punojë në sistemin gjyqësor. Qeveritë janë komplekse, por përpjekja në çdo aspekt për të rritur transparencën dhe krijuar stimuj për zyrtarët që ta bëjnë punën e tyre me ndershmëri është themelore.

Zëri i Amerikës: Zonja Grej, le te flasim pak për fenomenin që njihet si kapja e shtetit. Cila është dinamika e tij në Shqipëri dhe cilët janë disa nga faktorët që e ushqejnë atë?

Cheryl Gray: Kapja e shtetit është korrupsioni në sferën politike, kur komuniteti i biznesit dhe qeveria ndërveprojnë për hartimin dhe vënien në zbatim të ligjeve. Është problem tepër serioz dhe Shqipëria nuk paraqitet mirë, por po kështu edhe vendet e tjera të Evropës Juglindore, sidomos Ballkani Perëndimor. Nuk e di me saktësi se përse, por mendoj se mekanizmat politikë, rregullat dhe transparenca e procesit politik janë ndoshta rrënjët e këtij problemi.

Zëri i Amerikës: Zonja Grej, mentaliteti i mitmarrjes si fenomen. Siç vihet re edhe në grafikët e studimit, vendet e Evropës Juglindore duket se janë më të prekura. A mendoni se mitmarrja ka të bëjë me kulturën e një rajoni?

Cheryl Gray: Unë jam marrë me këtë fenomen prej një kohe të gjatë, por nuk mendoj se ka të bëjë me kulturën. Qytetarët e çdo vendi janë kundër rryshfetit. Mendoj se mitmarrja ka të bëjë me rregullat e lojës, pra, cilët janë stimujt për rryshfet në sistemin ekonomik dhe politik. Dhe i përket qeverisë të krijojë stimujt e duhur dhe transparencën. Për të qeverisur mirë duhet kohë, burime dhe kapital njerëzor. Njerëzit e çdo vendi nuk janë aq të ndryshëm. Të gjithë duan qeveri të pastër e të mirë. Zhvillimi është pjesë e këtij problemi dhe e sfidës për të ngritur institucione të mira për të kontrolluar korrupsionin.

Zëri i Amerikës: Zonja Grej, ju vini re një marrëdhënie ndërmjet ambicieve të një vendi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe shkallës së korrupsionit apo prirjeve për të luftuar korrupsionin. A mendoni se ambicjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar do ta shtyjnë edhe më tepër këtë vend në luftë kundër korrupsionit?

Cheryl Gray: Mendoj se Bashkimi Evropian po luan një rol tepër pozitiv në rajon lidhur me këtë aspekt. Vendet-anëtare janë tepër të interesuara për të luftuar korrupsionin, për të patur qeveri të mira e të forta, dogana dhe sisteme gjyqësore funksionale dhe ato kanë shpenzuar shumë burime e energji, kanë ushtruar mjaft trysni ndaj vendeve kandidate për të reformuar politikat e tyre. Shihen mjaft përparime tek tetë vendet e para të pranuara në fillim të viteve 90-të, e po ashtu tek Rumania e Bullgaria, ku tre vitet e fundit, siç e tregon studimi ynë, korrupsioni ka rënë ndjeshëm. Këto dy vende pritet të pranohen vitin e ardhshëm dhe Bashkimi Evropian po i vëzhgon nga afër dhe po i nxit me mënyra të ndryshme. Nuk kam dyshim se edhe Shqipëria do të kalojë përmes kësaj rruge. Këto vende kanë modele të gatshme dhe janë me fat që Bashkimi Evropian po i nxit dhe i ndihmon drejt rrugës për anëtarësim.

XS
SM
MD
LG