Lidhje

Bob Hend: Palët në Maqedoni të distancohen nga komentet për dhunë


Ndërsa në Maqedoni vazhdojnë përpjekjet për formimin e qeverisë së re, Zyrtari i Komisionit amerikan të Helsinkit, Robert Hand i cili ishte vëzhgues në zgjedhjet e 5 korrikut, në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, u bëri thirrje palëve që të distancohen nga komentet për dhunë. “Nuk është ide e mirë të lëshohen komente që lënë të kuptohet për kthimin në kohën e dhunës, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve ose formimit të qeverisë. Kjo nuk është aspak e mirë, ashtu siç nuk është ide e mirë që një parti të etikohet si parti e dhunës, ashtu siç ka patur komente kohët e fundit, që kanë bërë krahasime me krahun ushtarak të Hezbollahut. Një retorikë e tillë është e dëmshme. Palët duhet të distancohen nga dhuna dhe të mos hedhin akuza ndaj njera tjetrës, cilado qofshin formulat e formimit të qeverisë.”

Ndërsa në këtë vend të dyja partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve synojnë të hyjnë në koalicionin qeveritar, zoti Hand thotë se, nuk ka asgjë të keqe në se ato janë pjesë e qeverisë, ndonëse një gjë e tillë nuk është e domosdoshme. “Për Maqedoninë është një rast i veçantë pasi ka shumicë e pakicë jo vetëm politike, por edhe dy komunitete etnike, maqedonasit dhe shqiptarët. Nuk ka asgjë të keqe që të dyja partitë shqiptare të marrin pjesë në qeveri, por nga ana tjetër, nuk ka nevojë që të dyja të jenë në qeveri. Nuk ka asgjë të keqe në se një parti është në opozitë. Në fakt kjo është pjesë e procesit demokratik, që partitë të pranojnë se janë në opozitë dhe t’i bëjnë sfidë qeverisë për politikat e saj. ”

XS
SM
MD
LG