Lidhje

Izraeli vazhdon bombardimet në Liban


Kreu i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, thotë se grupi i tij guerril do të qëllojë me raketa edhe më në thellësi të territorit izraelit, duke kapur edhe qendrën e Izraelit.

Dje Hezbollahu goditi me raketa deri në 50 kilometra në thellësi të Izraelit. Në një deklaratë televizive, Nasrallah tha se Izraeli ka pësuar një humbje të mëdha në luftimet në terren me guerriljet Hezbollah.

Ai e bëri këtë deklaratë pak pasi trupat izraelite u tërhoqën nga qyteti kufitar libanez i Bint Jbail-it. Ushtria izraelite humbi 9 ushtarë në luftime, para se të merrte nën kontroll qytetin këtë javë.

Ndërkaq, avionët izraelitë vazhduan të bombardonin edhe sot në Liban. Zyrtarët libanezë thanë se në një nga goditjet u vranë një grua dhe 5 fëmijë. Nga ana e tij Hezbollahu goditi përsëri me rakera në pjesën veriore të Izraelit.

Në një zhvillim tjetër, Izraeli kundërshtoi thirrjen e OKB-së për një armëpushim 72 orësh në konfliktin me guerriljet Hezbollah në Liban. Një zyrtar i lartë i OKB-së propozoi armëpushimin dje për të lejuar gratë, fëmijët dhe të moshuarit të largohen nga luftimet dhe të lejohen të hyjnë në vend ndihmat.

Izraeli tha se ka hapur tashmë korridore të sigurta për ndihmat në Liban. Zyrtarët izraelitë thanë se guerriljet Hezbollah po bllokojnë ngarkesat për të krijuar një krizë humanitare.

Ndërkohë një anije amerikane mbërriti sot në Bejrut me furnizime për qindra mijëra të zhvendosur nga bombardimet. Agjencia e OKB-së për refugjatët po dërgon autokolonën e parë të ndimave në Liban nga Siria.

XS
SM
MD
LG