Lidhje

Zogjtë e Alaskës mund të bartin rrezikun e gripit të shpendëve

  • Brajën Pedën

Ata e kalojnë kufirin amerikan në grupe të mëdha dhe nuk pyesin për pasaporta apo për polici kufitare. Pikërisht për këtë arësye autoritetet amerikane janë të shqetësuara se rreziku mund të jetë fatal. Fjala nuk është për njerëz por për zogj shtegtarë që mund të sjellin me vete virusin vdekjeprurës të gripit të shpendëve. Deri tani në Shtetet e Bashkuara nuk ka patur raste vdekjeje nga ky virus dhe zyrtarët amerikanë duan që kjo gjendje të vazhdojë. Prandaj qeveria ka filluar testimin e zogjve të egër në shtetin verior të Alaskës.

Rajoni i largët i tundrës së Alaskës është pjesë e Rezervatit Kombëtar të Deltës së Jukonit. Këtu vijnë zogj shtegtarë nga Azia dhe dhe nga i tërë kontinenti amerikan për t’u ushqyer dhe për t’u shumëzuar gjatë verës. Tani shkencëtarët kanë frikë se pikërisht këto territore të shumëzimitg të zogjve mund të bëhet porta e hyrjes në Amerikë të virusit vdekjeprurës të gripit të shpendëve.

Pikërisht për këtë arësye këtu janë dërguar biologë si Kris Nikoli, të cilët merren me testimin e zogjve shtegtarë për shenja të virusit. Qeveria amerikane po financon një program për testime të tilla dhe gjithsej gjatë verës nëpër këtë testim do të kalojnë më shumë se 15 mijë zogj të Alaskës. Kjo është një patë e egër, një nga zogjtë që dyshohen më shumë për virusin dhe kjo zonë pranë lumit

Tutakote është ndër vendet më të preferuara për patat dhe rosat e egra, dy nga 27 speciet që po testohen në të gjithë Alaskën. Bob Lidi është koordinator i programit të survejimit të shpendëve për shërbimin e faunës në shtetin e Alaskës.

"Vetë virusi shpesh transmetohet përmes ujit, aty ku zogjtë përzihen me njëri tjetrin në ujë. Speciet që ne po kërkojmë në këtë lumë janë kryesisht pata dhe rosa të egra sepse pikërisht nkëto specie dihet që kanë kontakte të rregullta me Azinë dhe shumë prej tyre e sjellin sëmundjen që andej,"- thotë ai.

Në këtë qendër shkencore, biologët testojnë kryesisht zogjtë femra sepse ato kapen më lehtë. Ata përdorin gracka të vendosura pranë foleve me vezë dhe presin që zogu mëmë të kthehet në fole. Por disa herë ata i kapin zogjtë me rrjeta kur ata ndodhen në fole. Biologu Xhim Sedinger i Universitetit të Nevadës ka më shumë se 20 vjetg që studion zogjtë e Alaskës. Ai thotë se ajo që dinë tashmë shkencëtarët për shtegtimin e zogjve mund t’i ndihmojë të identifikojnë dhe të frenojnë një shpërthim të mundshëm të sëmundjes.

"Këto pata këtu kryesisht shkojnë në Kaliforni dhe në Meksikë. Kështu që, nëse ne këtu testojmë pozitivisht njërën prej tyre, atëhere nuk ka vend të shqetësohemi për shembull për pularitë në shtetin e Nebraskës."

Deri tani, në shpendët e egra të testuara në Alaska nuk është gjetur ndonjë shenjë e virusit, madje disa shkencëtarë që punojnë këtu thonë se rreziku i përhapjes së virusit të shpendëve nga zogjtë e egër është zmadhuar në një farë mase. Megjithatë, Bob Ledi thotë se krijimi i rrjetit të vëzhgimit ka rëndësi kritike.

"Ne dimë shumë pak mbi transmetimin e gripit të shpendëve midis specieve të ndryshme të zogjve, aq më pak nga zogjtë te njerëzit. Prandaj na duhen shumë mostra. Në këtë mënyrë ne do të krijojmë një ide shumë më të qartë për speciet e ndryshme që preken më tepër nga virusi dhe do të mësojmë më shumë mbi procesin e transmetimit të tij,"- thotë Ledi.

Sa më shumë që biologët mësojnë mbi transmetimin e virusit, aq më i efektshëm do të jetë ky lloj sistemi i ruajtjes së kufirit për të mbrojtur popullatën nga virusi vdekjeprurës H5N1 i gripit të shpendëve.//lk

XS
SM
MD
LG