Lidhje

Ballkani dhe nafta e Kaspikut: Projektet rivale për transportimin e saj


Presidenti rumun, Trajan Bësesku, tha dje se Rumania ka pozicion më të përshtatshëm se Bullgaria për një tubacion nafte i cili është në plan të kalojë nga Deti i Zi, përmes Ballkanit me destinacion në Evropën Perëndimore. Zoti Bësesku i bëri komentet në një forum për energjinë, në Uashington.

Tubacione të shumta janë planifikuar të transportojnë naftën e papërpunuar nga puset e reja të zonës së Kaspikut për në tregjet botërore. Njëri prej tyre, që shtrihet nga Azerbajxhani, në Gjeorgji, e deri në Turqinë Lindore, me gjatësi prej 1700 kilometrash, i quajtur BTS, iniciale që u përkasin qyteteve, Baku – Tbilisi – Seihan, përfundoi dhe u vu në përdorim kohët e fundit.

Turqia ka propozuar që tubacione të tjerë të kalojnë nëpër territorin turk nga Deti i Zi në Mesdhe për të transportuar naftën e Kaspikut që vjen me çisterna nga porti rus Novorosisk.

Në anën evropiane të Detit të Zi, Rumania dhe Bullgaria kanë propozuar projekte rivale për të transportuar naftën e Kaspikut në drejtim të perëndimit, përmes Ballkanit, më pranë tregjeve perëndimorë. Presidenti Bësesku, ish-kapiten marine, thotë se porti rumun i Konstancës, është pikënisja logjike e tubacionit naftësjellës trans-ballkanik.

“Konstanca është porti i vetëm në pjesën evropiane të Detit të Zi, ku mund të ankorohen vaporë deri në 150 mijë tonë. I vetmi port me këtë kapacitet është porti rus Novorosisk, u shpreh zoti Bësesku.”

Presidenti rumun nuk mendon se do të ndërtohen dy naftësjellës në Ballkan. Nga ana e saj Greqia ka hedhur propozimin se një rrugë më e shkurtër do të ishte nga Bullgaria në portin grek Aleksandropolis. Të gjitha këto propozime kanë efektin e lehtësimit të trafikut të ngjeshur dhe mjedisit delikat të Ngushticës së Bosforit, në Stamboll. Riçard Enis, nga Banka ING, në Nju Jork, thotë se varianti rumun ka edhe disa avantazhe të tjera.

“Propozimi rumun do të lehtësonte edhe trafikun e çisternave naftëmbajtëse në Detin e Zi. Vaporë me tonazh më të madh do të mund të qarkullojnë nga Novorosisku drejt bregut lindor të Detit të Zi, në Konstancë. Kjo do të lehtësonte trafikun e përgjithshëm, tha Enis.”

Me çmimet e naftës që vazhdojnë të qëndrojnë mbi 70 dollarë për fuçi, tubacionet po cilësohen gjithmonë e më tërheqëse ekonomikisht. Megjithatë asnjëri nga propozimet, nga Rumania ose Bullgaria nuk ka fituar mbështetjen e nevojshme financiare. Kompanitë e naftës do të preferonin që kostoja prej 3 miliardë dollarësh të përballohej nga institucione ose kompani të tjera.

Përveç argumenteve të mësipërme varianti rumun ka hasur në një kundërshtim të papritur nga Sllovenia, e cila nuk është dakord që tubacioni të përshkojë bregdetin e saj të Adriatikut drejt rafinerive dhe portit të Triestes në Itali. //ii

XS
SM
MD
LG