Lidhje

Mendimet e analistëve për acarimet e fundit politike në Shqipëri


Acarimet e fundit politike në Shqipëri. Me analistin, Fatos Lubonja dhe kryeredaktorin e gazetës ABC, Mentor Nazarko.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, duket se acarimi i fundit po çon drejt një krize te re politike. Cili është shkaku i saj sipas jush?

Fatos Lubonja: Për mendimin tim, shkaqet në se do ti kërkojmë do të shkojmë shumë thellë, do të shkojmë deri në periudhën komuniste në kuptimin që përgjithësisht politika shqiptare është karakterizuar nga një konfliktualitet dhe nga një mungesë aftësie për dialog, aftësi për konsensus. Kryesisht ka ekzistuar mendësia totalitare ku njëra palë ose pala tjetër kërkon të mbisundojë, si kulturë në përgjithësi. Në rastin konkret mendimi im është se Shqipëria qysh me zgjedhjet e 3 korrikut ka nevojë për disa reforma të thella që kanë të bëjnë si të thuash me çlirimin e shtetit nga ajo që quhet kapje nga mafja. Problemi pra është se nga njëra anë ka nevojë për gjithë këto reforma të thella dhe nga ana tjetër ka një pengesë të madhe për tu kryer këto reforma dhe i gjithë konflikti përqëndrohet në dy linja, në dy qëndrime; me një qëndrim të mazhorancës që thotë se ne pengohemi për të bërë reforma për shkak të opozitës e cila ka frikë se goditja e korrupsionit bie mbi të dhe qëndrimi i opozitës e cila thotë se kjo nuk është luftë kundër korrupsionit por kjo është luftë për të na goditur ne politikisht. Problemi më i madh është që ky është ngërçi dhe herë pas here ka patur valë të uljes dhe të ngritjes së këtij konflikti i cili tani me zgjedhjen e anëtarit të KQZ-së arriti një pikë kulminante. Mendimi im lidhur me këtë është se përgjithësisht zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qënë asnjëherë të mira, gjithëherë të kërcënuara, ka patur gjithëherë mosbesim midis forcave politike dhe gjithë ky tension për një shifër, për një numër në KQZ tregon sesa mosbesim i thellë ekziston në raportet e politikës shqiptare midis mazhorancës dhe opozitës. Përgjithësisht ka qënë raporti 5 me 2 në favor të mazhorancës, derisa arriti 4 me 3 në favor të mazhorancës në zgjedhjet e 2005ës. Tani është bërë një rezultat që sipas mendimit tim nuk qëndron – 4 me 3 në favor të opozitës, dhe gjithë kjo ka krijuar konfliktin e madh pasi opozita e ka imponuar 4 me 3-shin ndërsa mazhoranca thotë se e duam ne këtë 4 me 3 dhe e ka imponuar atë me forcën e kartonit. Kjo ka krijuar këtë përplasje por që në fakt nuk është thjesht numri. Gjithmonë do të gjenden pretekste të tjera për të konfliktuar politikën dhe ndalimi i saj për mua është një problem shumë i madh që do të kërkojë goxha durim nga të dyja palët, goxha racionalitet që për fat të keq mungon dhe që kësaj here kemi shpërthimin e një iracionaliteti.

Zëri i Amerikës: Zoti Nazarko, opozita sot njoftoi një masë ekstreme, bojktomin e zgjedhjeve. Duket se në Shqipëri ndryshoi pushteti por jo format e protestave. PS deri dje kritikonte PD për bojkot, kurse sot po bën vetë të njejtën gjë. A kanë mbetur marrëdhëniet PS-PD në vend numëro në Shqipëri pas gjithë këtyre viteve?

Mentor Nazarko: Është ende herët ta themi. Sigurisht forma e përdorur e presionit është një formë jo e re. Por unë mendoj që sistemi institucional që ka Shqipëria aktualisht ofron mundësitë e zgjidhjes, pra mundësitë e kompromisit edhe pa ndërhyrje nga jashtë. Pra domethënë nuk janë shteruar të gjitha rrugët duke përfshirë institucionet legale, presidentin e Republikës që të arrim në një zgjidhje. Por ajo që ka munguar në rastin konkret dhe këtu më duhet që të përgënjeshtrojë pak zotin Lubonja është fakti që kjo shumicë parlamentare është duke treguar një arrogancë të tepruar me përdorimin e pushtetit, është duke treguar mangësi në administrimin e këtij pushteti në kushtet e reja. Pra në kushtet kur ekzistojnë disa insitucione që kanë mandate më të gjatë sesa të shumicave, pra ato u mbijetojnë ndërrimit që shumicave dhe ekziston një farë papërshtatshmërie e shumicës për të funksionuar në kushte të tilla. Jam dakort që ekziton një objektiv i tërë shoqërisë shqiptare për çlirimin nga fenomene negative të cilat është pak guxim i madh domethënë që ti quhet mafja me gjuhën e përdorur në mënyrë të ekzagjeruar nga qarqe mediatike apo edhe nga vetë kreu i mazhorancës dikur në opozitë, por gjithçka duhet të bëhet duke respektuar rregullat e lojës, pa ndryshuar albitra, pra pa ndryshuar ata që do të duhet që të vigjilojnë mbi zhvillimin e lojës demokratike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, kur PD ishte në opozitë ishte ajo që bëri presion për më shumë të drejta për opozitën nëpër institucione, veçanërisht në ato që lidhen me zgjedhjet. Sot që ka ardhur në pushtet, ajo akuzohet se po përpiqet pikërisht të minimizojë të drejtat e opozitës. A kemi të bëjmë këtu me qëndrim të dyfishtë të demokratëve?

Fatos Lubonja: Përgjithësisht mazhoranca gjithmonë ka abuzuar në Shqipëri dhe kontrolli i mazhorancave është një detyrë e të gjithë atyre që luftojnë për demokraci por sipas meje në rastin konkret nuk kemi të bëjmë thjesht me një mazhorancë. Mendimi im i kahershëm ka qënë se përveç një mazhorance politike ne kemi një sistem të kapur, një shtet të kapur nga një forcë më e fortë edhe se vetë mazhoranca që politikanët i ka kthyer vegla, në kukulla të tyre dhe ajo që quhet “shtet i kapur” është një term që është përdorur edhe nga ndërkombëtarët. Pra Shqipëria është një shtet i kapur dhe disa nga ato institucione që përmendi Nazarko, pikërisht ky është problemi se janë të kapura dhe janë të kontestuar nga një pjesë e madhe e popullit. Prandaj mendoj që një nga zgjidhjet institucionale për ti hapur rrugë reformës që është shumë e vështirë do të kishte qënë përshembull dorëheqja e Prokurorit të Përgjithshëm i cili akuzohet se ndërkohë që Shqipëria është nga vendet e pakta ku është rritur korrupsioni nga 2003shi në 2005ën, nuk ka zbritur dhe ai ka qënë prokuror, megjithatë ai ngul këmbë të qëndrojë dhe të mos japë dorëheqjen për të hapur rrugën siç jepet shpeshherë dorëheqje për të hapur rrugën, disa proceseve. Në këtë kuptim pra, vërtetë kemi një mazhorancë por unë e shikoj këtë mazhorancë shumë të kërcënuar nga një forcë tjetër që është ajo forcë që ka kapur pushtetin dhe që mendimi im personal është që ende shteti ynë nuk është çliruar nga kjo gjë dhe për fat të keq opozita shpeshherë bën lojën e kësaj force.

Zëri i Amerikës: Zoti Nazarko, në gjithë këtë debat të ditëve të fundit, demokratët kanë kritikuar Presidentin duke e bërë edhe atë përgjegjës për situatëpn e krijuar. A mendoni se Presidenti ka ndonjë hapësirë ligjore ku mund të ndërhyjë?

Mentor Nazarko: Gjatë ndërhyrjes time të parë unë përmenda vetëm një institucion prej këtyre të pavarurve dhe që kishte hapësirën ligjore për të vepruar dhe përmenda vetëm dhe vetëm presidentin. Në se zoti Lubonja e ka fjalën se edhe presidenti është kapur është një ekzagjerim i madh, përdorim i një figure poetike në fakt për një figurë institucionale siç është presidenti është ekzagjerim i tepruar. Dua të them që duke e njohur shtetin nga brenda dhe jo nëpërmjet përfytyrimeve të jashtme, duke analizuar gjithashtu edhe veprimtarinë e institucioneve dhe konkretisht atë të presidentit të republikës më duhet të them që ai është duke luajtur në mënyrë korrekte rolin e tij pas disa gabimeve të imagjinueshme në fillim të mandatit të tij gjatë qeverisjes së zotit Nano, unë mund të them që presidenti i republikës është një nga garantët e funksionimit të sistemit politik në Shqipëri. Ai aktualisht edhe në kuadrin e krizës që ka shpërthyer i ka hapësirat dhe unë gjykoj që ka autoritetin por është pikërisht sjellja e mazhorancës, edhe shantazhuese do të thosha ndaj presidentit të republikës, një sjellje bojkotuese ndaj tij që i ngushton hapësirat e krizës. Jam kundër totalisht çdo lloj hipoteze që kjo mazhorancë mund të ndryshojë në emër të një objektivi siç ishte ai i çlirimit të shtetit nga kapja e institucioneve. Kjo nuk është një mazhorancë e cila mund të ndërmarrë objektiva të tillë pa konsensusin e opozitës apo të shoqërisë në përgjithësi. Kjo nuk është një shumicë që erdhi në pushtet me një numër të tillë votash që mund të garantonin përmbysje të mëdha të sistemit apo shoqërisë. Kjo nuk është një shumicë e cila në muajt e parë të qeverisjes, sigurisht duke vlerësuar hapa pozitivë të ndërmarrë në fushën e arsimit, në luftën e korrupsionit, në doganat në sistemin finaciar, nuk është megjithatë një mazhorancë që është duke treguar se bën zgjedhje të personave të duhur apo në krye të institucioneve etj. Natyrisht janë duke bërë zgjedhje të mira. Zoti Lubonja përshembull është zgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar të Televizionit, një zgjidhje totalisht e drejtë. Por më duhet të them që ndërmarrje të tilla të mëdha, bëhen me konsensus, bëhen brenda rregullave të lojës, bëhen duke respektuar kushtetutën e cila imponon respektimin e këtyre rregullave të lojës. Në këto kushte më duhet të them që gjetja e konsensusit duke iu drejtuar presidentit të republikës, duke e vitalizuar rolin e tij dhe jo duke e shantazhuar, jo duke e shmangur, jo duke e bojkotuar atë siç ka bërë kjo shumicë jo vetëm me presidentin por edhe me institucione të tjera, praktikisht me të gjithë institucionet e tjera është rruga për të dalë nga kriza.

Zëri i Amerikës: Zoti Lubonja, disa formula institucionesh në Shqipëri në të kaluarën janë krijuar në bazë të kompromiseve politike të momentit. A po paguhet sot kostoja e kompromiseve të së kaluarës?

Fatos Lubonja: Pa dyshim që paguhet dhe kostoja e kompromiseve të së kaluarës dhe një nga këto kompromise e mëdha që është bërë në Shqipëri është që asnjëherë politikanët në Shqipëri nuk kanë dhënë llogari për krimet që kanë bërë ndaj këtij vendi. Ky është një kompromis që është bërë qysh herët, qysh në 1991shin dhe që ka vazhduar dhe që ka krijuar në Shqipëri atë sistem që quhet “sistem i pandërshkueshmërisë” dhe për fat të keq kjo opozitë kërkon që të vazhdojë ky sistem. Unë fola qëpar për prokurorin, jo për presidentin dhe nuk e akuzova fare për të kapur, por them që mjafton problematika e madhe që është ngritur rreth tij duhet të paktën që ta detyronte të jepte dorëheqjen në mënyrë që të hapte rrugën, në mënyrë që sikurse ashtu në çdo vend demokratik, kur ka akuza kaq të forta, kur vendi është akuzuar kaq fort për korrupsion dhe vota e shqiptarëve u dha për luftën kundër korrupsionit, ai duhet të paktën të kishte patur kurajon të jepte dorëheqjen dhe madje mendoj që presidenti duhet të ishte ai që t’ja kishte kërkuar meqënëse është firma e tij që emëron prokurorin. Pra ky është mendimi im lidhur me këtë çështje dhe kompromiset që janë bërë pikërisht duke lënë politikanët shqiptarë të pandërshkuar dhe vullneti i tyre pra ai që fiton ai që është i pari bën drejtësinë dhe të tjerët vuajnë padrejtësitë e tij. Tani problemi është që opozita akuzon se të njëjtën gjë do të bëjë edhe Sali Berisha duke ardhur në pushtet, pra duke dënuar një pjesë dhe duke lënë si me thënë të pandëshkuar të tjerët kurse ne që jemi jashtë kësaj loje, domethënë qytetari i thjeshtë nuk i intereson shumë se kush do të vijë në pushtet po i intereson a do fillojë në Shqipëri të ketë më në fund pak drejtësi, a do të fillojë në Shqipëri të ketë më në fund disa njerëz që përgjigjen për grabitjet e mëdha që i bëjnë këtij vendi? Apo do të vazhdojë kështu. Mendimi im është që duhet hapur ky proces dhe mendimi im është që ajo që bën opozita që më shumë tingëllon si një mbrojtje e vetvetes dhe e grupeve të veta sesa një mbrojtje e vendit nga tirania, sepse unë ju kujtoj se akoma nuk është futur një njeri në burg, nuk ka ndodhur asnjëgjë anormale. Vetëm një prokuror mundohet të hiqet që mendoj se duhet të jepte dorëheqjen dhe bëhet gjithë kjo zhurmë e madhe, arrihet të krijohet situata e 97ës në një kohë kur vendi është aq i lodhur nga 97ta, me një 97 të gjatë dhe të lodhshme nga opozita saqë absolutisht nuk ka njeri ndërmend të ndjeki mbrapa ndonjë politikanë cilido qoftë ky. Tani në këtë situatë duhet të hapet një proces, duhet të gjejmë edhe konsensusin, duhet të fillojë të funksionojë edhe pak drejtësia dhe kjo për mendimin tim ende nuk ka filluar dhe duhet të fillojë diçka. Përndryshe Shqipëria do të jetë një kënetë ku politikanët bëjnë ç’të duan dhe nuk përgjigjen për asgjë. Ky duket se është vullneti i opozitës e cila kërkon të pengojë çdo lloj reforme, do ta lërë gjendjen atje ku ishte dhe pa bërë asnjë reformë dhe asnjë reflektim për atë që humbi zgjedhjet, të gjithë e dinë që i humbi zgjedhjet pikërisht për shkak se instalojë sistemin e korrupsionit kërkon të rikthehet menjëherë në pushtet me të njëjtët njerëz, me të njëjtat fytyra pa bërë asnjë lloj reforme duke gjetur një alibi që po na kërcënon Saliu. Po mua më duket se kjo është një alibi që nuk qëndron. Të paktën ky është mendimi im deri më sot. Në momentin kur vërtet do të shikojmë që Saliu është një kërcënim, dhe jo një paranonjë e disa njerëzve të frikësuar atëherë mendoj se është detyra jonë të ngremë zerin dhe të fillojmë të vemë këtë alarm tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Nazarko, a është kriza e fundit tregues i paaftësisë institucionale për zgjidhjen e problemeve në Shqipëri apo i mungesës së kulturës politike?

Mentor Nazarko: Unë besoj që është e dyta, domethënë mungesa e kulturës politike kam përshtypjen që jam koherent me atë që kam thënë gjatë kësaj interviste, pra praktikisht me vendosjen e kushtetutës në Shqipëri gjatë qeverisjes së shumicës socialiste, që qe qeverisje e gjatë në fakt, Shqipëria arriti të krijonte një kuadër institucional deri diku të qëndrueshëm. Është paaftësia e kësaj shumice politike për të bashkëjetuar me këtë kuadër institucional i cili funksionon në një mënyrë të pranueshme dhe është pikërisht shmangia e çdo lloj shfaqjeje të kulturës politike të personalizimit të institucioneve që çoi në 1997ën dhe që në rastin konkret është e vështirë për tu përsëritur, pikërisht për shkak se ekzistojnë këto institucione. Kështu që unë mendoj që zoti Berisha, kjo shumicë do të duhet që të bashkëjetojë me institucionet. Është e pamundur që t’i ndryshosh ato pa patur shumica të tipit kushtetues dy të tretat apo tre të pestat. Dua ta përsëris dhe të shtojë edhe një element tjetër për të treguar se kjo shumicë nuk ka autoritetin e nevojshëm, nuk ka kompetencën e nevojshme as ligjvënëse, as profesionale për të arritur ndryshime të mëdha. Zoti Berisha të cilit zoti Lubonja ju referua, nuk ka nevojë që si të thuash të ndjejmë frikën prej tij dhe pastaj të veprojmë. Ne duhet të mbajmë mend që zoti Berisha ka një eksperiencë të dështuar në qeverisje. Fakti që ai u rikthye me votën e popullit është pozitiv për të por duhet të bashkëjetojë me këto institucione, duhet të japi prova. Deri tani ka treguar mungesë së kulturës së bashkëjetesës me institucionet.

XS
SM
MD
LG