Lidhje

Presidenti Bush: SHBA, të vendosura t’i japin fund konfliktit midis Izraelit dhe grupit Hezbollah

  • Paula Wolfson

Presidenti Bush tha se ai është i vendosur për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave izraelite dhe grupit Hezbollah, që vepron në Liban, si dhe të vazhdojë përpjekjet në Kombet e Bashkuara për një zgjidhje afat-gjatë.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për t’i dhënë fund gjakderdhjeve. Ai tha se po e ndjek situatën nga afër dhe po punon për arritjen e një armëpushimi që do të zgjasë.

“Ne do të punojmë me aleatët tanë për të sjellë para Këshillit të Sigurimit një rezolutë që do t’i jepte fund dhunës dhe do të hidhte bazat për një paqe afat-gjatë në Lindjen e Mesme.”

Presidenti i bëri këto komente në Majami të Floridës, ku u shkëput për pak çaste nga fjalimi i përgatitur më parë për gjendjen e ekonomisë së vendit, për t’u ndalur tek konflikti në Lindjen e Mesme. Ai tha se do të bisedojë sot me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs, e cila po kthehet në Uashington nga rajoni, një ditë pasi Izraeli bombardoi një fshat libanez, duke lënë dhjetra civilë të vrarë.

Incidenti u bë shkas që të shtoheshin thirrjet nga komuniteti ndërkombëtar për një armëpushim të menjëhershëm. Gjatë fjalimit të tij, Presidenti nuk e përmendi drejtpërdrejt sulmin e Izraelit, por ai theksoi se në të dyja anët e kufirit izraelito-libanez, shumë njerëz po humbin jetën.

“Ndërsa ne po vazhdojmë përpjekjet me miqtë dhe aleatët tanë, është e rëndësishme të mos harrohet se kriza filloi me sulmin e paprovokuar të grupit Hezbollah ndaj Izraelit. Izraeli po ushtron të drejtën e tij për t’u vetë-mbrojtur dhe ne na vjen keq për viktimat që po shkaktohen si në Liban edhe në Izrael.”

Por Presidenti Bush theksoi përsëri se një armëpushim i menjëhershëm, pa kushte, nuk do t’i jepte fund gjakderdhjes. Ai theksoi se do të punojë për një zgjidhje më të përgjithshme, përfshirë mbështetje për qeverinë demokratike të Libanit, dërgimin e një force ndërkombëtare dhe dhënien fund të mbështetjes rajonale për terrorizmin.

“Irani duhet të ndërpresë mbështetjen financiare dhe me armë për grupe terroriste, si ai Hezbollah. Siria po ashtu duhet t’i japë fund mbështetjes së terrorizmit dhe të respektojë sovranitetin e Libanit.”

Presidenti e mbrojti me forcë qëndrimin e tij, duke thënë se kriza e tanishme është pjesë e një lufte më të gjerë midis forcave të lirisë dhe forcave të terrorit.

“Ky qëndrim do të bëjë të mundur atë që duan të shikojnë shumë njerëz në botë: përfundimin e sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit, kthimin e ushtarëve izraelitë që po mbahen peng nga terroristët, pezullimin e operacioneve izraelite në Liban dhe së fundi, tërheqjen e forcave izraelite.”

Po sot, gjatë një takimi me drejtues biznesi amerikano-kubanë në Majami, Presidenti tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të trajtojë rrënjët e problemit. Në se kjo ndodh, tha ai, populli libanez dhe ai izraelit do të jetojnë në paqe.//lk

XS
SM
MD
LG