Lidhje

Një fond i posaçëm siguron studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara për të rinjtë e Kosovës


Megjithëse përcaktimi i statusit është sfida kryesore aktualisht për Kosovën, analistët thonë se përpjekjet më të vështira vijnë më pas përsa i takon trajtimit konkret të problemeve që nga papunësia e lartë e deri tek menaxhimi i vendit. Një program i ngritur me nismën e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar siguron studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara për të rinjtë e Kosovës për t’i përgatitur ata profesionalisht.

Fondi Kosovaro-Amerikan për Arsimin ka si synim mbështetjen e zhvillimit afatgjatë në Kosovë përmes kualifikimit të profesionistëve. Fondi prej 7.8 milionë dollarësh, është i pari i këtij lloji dhe u krijua me nismën e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, nga fitimet e siguruara kur Banka Amerikane në Kosovë iu shit Bankës gjermane Raiffheisen. Fushat kryesore të studimit kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe sferën publike, drejtësinë dhe ekonomi.

Fortuna Haxhikadrija një nga tetë pjesëmarrësit në program studion në universitetin Duke në Karolinën e Veriut dhe thotë se përvoja e marrë nga studimet është shumë e vlefshme.

“Mendoj se kur administruesi i këtij fondi ka vendosur për universitetet ku ne do të vazhdojmë studimet varësisht prej kërkesave dhe dëshirave tona kanë pasur parasysh faktin që programet të jenë të orientuara sidomos për vendet që janë në tranzicion dhe ata që janë në zhvillim, kështuqë unë besoj se do të mundem të përdor atë që kam përfituar nga ky program”.

Edhe Sebajdin Bytyqi, që studion në Universitetin e Indianës thotë se përvojën e fituar në Shtetet e Bashkuara, studentët do ta përdorin në Kosovë për të ndihmuar në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, ekonomisë dhe në integrimin në Bashkimin Evropian.

“Ideja kryesore është që me përvojën dhe përgatitjen që kemi marrë këtu në SHBA do të ndihmojmë drejtpërdrejt në krijimin e një vendi me standarde më të larta të jetesës dhe me mirëqenie më të lartë”.

Këshilli Amerikan për Arsim ndërkombëtar fitoi të drejtën në vitin 2004 për ta administruar këtë fond dhe vjet erdhi në Universitetet amerikane grupi i parë i studentëve.

Presidenti i këtij Këshilli për Studim Ndërkombëtar, Dr. Dan Davidson thotë se organizata e tij bashkëpunon me autoritetet vendore në Kosovë dhe mendon se profesionizmi për ndërtimin e vendit nuk mund të importohet nga jashtë.

“Duhet të kesh vendas shumë të zgjuar që e njohin situatën në vendin e tyre që shkojnë në një vend tjetër mësojnë koncepte të reja, struktura të reja dhe pastaj të kthehen për ta vënë në jetë përvojën e marrë, për të punuar në fusha që më parë kanë qenë në dorën e njerëzve të tjerë”.

Edhe vetë pjesëmarrësit e parë në program që mbarojnë studimet vitin e ardhshëm e shohin veten në këtë rol.

“Do të ketë sfida dhe probleme të ndryshme, por besoj se lidershipi kosovar dhe shoqëria kosovare janë në dijeni që të fillohet të punohet me profesionalizëm dhe janë në dijeni për sfidat që do të vijnë sidomos pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës, e cila do të jetë pavarësia besoj dhe për sfidat që do të vijnë pas statusit dhe për nevojën e madhe për energji dhe për profesinalizëm dhe llogaridhënie”.

Dr. Davidson është i bindur që në Kosovë do të ketë shumë kërkesa për tërheqjen e këtyre profesionistëve në sfera të ndryshme.

“Ne e dimë që do të ketë një numër të madh biznesesh dhe agjencish qeveritare që do të duan të punësojnë grupin e parë të të diplomuarve. Shpesh kemi parë që pjesëmarrësit në grup marrin oferta që para se ta përfundojnë programin”.

Ndërkohë që është përzgjedhur grupi i dytë i studentëve që fillon studimet në shtator, një nga synimet e administruesve dhe pjesëmarrësve është që të sigurohen edhe fonde për vazhdimësinë e programit.

“Ideja është që administruesi i këtij fondi Këshilli Ndërkombëtar për arsim ndërkombëtar dhe ne si përfitues të kësaj burse të ndihmojmë në thithjen, ose tërheqjen e donatorëve të tjerë të cilët do të ndihmojnë këtë fond dhe që të jetë më i qëndrueshëm jo vetëm në një periudhë 10 vjeçare, por që të zgjatet edhe në vitet e ardhshme dhe që sa më shumë studentë nga Kosova të vijnë dhe të vazhdojnë studimet e tyre këtu”

Grupi i parë nuk i ka përfunduar ende studimet dhe sfidat e vërteta për institucionet në Kosovë do të fillojnë pas përcaktimit të statusit, por tani për tani pjesëmarrësit në këtë program përfaqësojnë shpresat dhe aftësitë e një brezi që shikon përtej konflikteve dhe pasigurive të dekadës së fundit drejt vendosjes së bazave për përparim demokratik dhe ekonomik.

XS
SM
MD
LG