Lidhje

Transparenca një nga mënyrat kryesore për të luftuar korrupsionin


Individët e korruptuar përpiqen të mos lejojnë transparencën, term që i dha emrin një organizate kundër korrupsionit në Gjermani, Transparency International.

Fjala transparencë e ka origjinën nga latinishtja, transparere që do të thotë të shfaqet, ose të bëhet e dukshme. Sot përdoret në mënyrë të figurshme kur bëhet fjalë për një qeveri të hapur dhe biznes të ndershëm.

Si kur bëhet fjalë për përhapjen bërthamore, për gripin e shpendëve, praktika biznesi, apo përgjegjshmërinë e qeverisë në çdo nivel, liria për të dhënë dhe marrë informacion konsiderohet jetike. Charles McPherson është këshilltar në Bankën Botërore.

“Transparenca mund të ketë një ndikim të madh tek ulja e varfërisë. Nëse publiku njihet me shifrat dhe me sasinë e parave që janë marrë, ata mund të hyjnë në debat për mënyrën sesi duhen shpenzuar paratë dhe të ushtrojnë presion ndaj qeverisë dhe politikanëve për përparësitë e shpenzimeve. Pra transparenca u jep një zë të varfërve.”

Transparency International - SHBA është një nga rreth 90 degët e organizatës me bazë në Gjermani. Organizata globale mat shkallën e korrupsionit në çdo vend me një listë të përvitshme të njohur si Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit. Aktualisht Islanda radhitet si vendi me më pak korrupsion. Çadi është i fundit mes 159 vendeve të marra në shqyrtim. Presidentja e Transparency-SHBA Nancy Boswell thotë se sa më i korruptuar të jetë vendi, aq më shumë ai fsheh informacionin për veprimtaritë e qeverisë që dëmtojnë qytetarët.

“Nëse ata individë nuk kanë shkollë, nuk shkojnë dot në spital dhe nuk marrin kujdesin e nevojshëm, sepse kontratën e ka marrë dikush që paguan më shumë, atëherë nuk është thjesht humbje në biznes, por një kosto njerëzore”.

Zonja Boswell thotë se transparenca është gjithashtu thelbësore në biznes. Ajo përmend korporatën amerikane Enron si shembull të mashtrimit me biznesin ku punonjësit dhe investitorët humbën miliarda dollarë sepse menaxherët fshehën informacione thelbësore.

“Transparenca është thelbësore në botën e tregut nga perspektiva të ndryshme. Besueshmëria e informacionit financiar është kritike për shembull për investitorët. Është e pamundur të dish sesa vlen një kompani dhe nëse duhet të financosh në të, nëse nuk mund të besosh tek të dhënat e saj financiare”.

Ajo thotë se institucione të forta publike dhe private janë të nevojshme në betejën kundër korrupsionit, përfshirë median e lirë dhe gjykatat e pavarura.

Zonja Boswell thotë se një nga arritjet kryesore të Transparency International ka qenë që korrupsioni është bërë çështje qendrore diskutimi mes udhëheqësve të vendeve, institucioneve të zhvillimit, Kombeve të Bashkuara dhe biznesit privat. Ajo vë në dukje se mbajtja e nivelit të korrupsionit në minimum është thelbësore që njerëzit e zakonshëm të gëzojnë zhvillimin ekonomik global.

XS
SM
MD
LG