Lidhje

Izraeli zgjeron operacionet nga toka në Liban


Trupat izraelite po luftojnë me guerriljet Hezbollah në pjesë të ndryshme të Libanit jugor, pasi qeveria izraelite miratoi zgjerimin e operacioneve nga toka në këtë vend.

Zyrtarët izraelitë paralajmëruan disa civilë libanezë në veri të lumit Litani, 30 kilometra në brendësi të Libanit, që të largohen nga zona. Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se trupat kanë vrarë disa qindra luftëtarë të Hezbollahut gjatë fushatës trijavore, një shifër që Hezbollahu e mohon.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert thotë se Hezbollahu po dobësohet çdo ditë e më shumë. Ai thotë se Izraeli do të bjerë dakord për një armëpushim, vetëm kur kushtet që shkaktuan fillimin e luftës në Liban, të ndryshojnë.

Ndërkohë, televizioni i Hezbollahut njoftoi se militantët bllokuan në një pritë trupa izraelite në fshatin e Aita al-Shaabit, duke vrarë, ose plagosur 35 ushtarë. Ushtria izraelite nuk e ka konfirmuar pretendimin.

Diplomacia në lëvizje

Bashkimi Evropian bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve, që të pasohet nga një armëpushim i qëndrueshëm mes Izraelit dhe guerriljeve Hezbollah në Liban. Ministrat e Jashtëm e miratuan deklaratën sot, në një takim në Bruksel, pasi Britania dhe Gjermania e kundërshtuan një variant që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Në deklaratë nuk shpjegohej ndryshimi mes ndalimit të menjëhershëm të luftimeve dhe armëpushimit të menjëhershëm. Ministri i Jashtëm finlandez Erkki Tuomioja kishte thënë sot para miratimit të deklaratës, se vendimi i Izraelit për të intensifikuar ofensivën kundër Hezbollahut nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të rriste mbështetjen për grupin ekstremist. Finlanda është presidentja e radhës e Bashkimit Evropian.

Po sot, gjatë një vizite në Beirut, Ministri i Jashtëm i Iranit Manusher Motaki kritikoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke thënë se kishte dështuar në përpjekjet për të ndalur luftimet.//lk

XS
SM
MD
LG