Lidhje

Debati mbi imigrantët e paligjshëm në SHBA duket se do të vazhdojë gjatë

  • Zulima Palasio

Debati mbi imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara është ndezur gjatë muajve të fundit. Përpjekjet në Kongres për të penguar imigracionin e paligjshëm janë shtyrë. Por shumë qeveri të shteteve amerikane kanë marrë iniciativën të gjejnë zgjidhje të vetat.

Imigracioni i paligjshëm dhe nevoja për krah të lirë pune kanë krijuar një luftë të vështirë politike që po zhvillohet në mjediset e Kongresit dhe në organet legjislative të shumë shteteve. Lindsi Louell është drejtoresha e studimeve të politikave në Institutin e Imigracionit Ndërkombëtar në Universitetin Georgetown. Ajo thotë se disa sektorë në Shtetet e Bashkuara do të viheshin në vështirësi serioze pa këtë lloj krahu të lirë pune.

"Statistikat tregojnë se punëdhënësit kanë përfitime kur kanë mundësi të bëjnë biznese në fusha ku nuk do të përballonin dot konkurencën pa këtë fuqi punëtore dhe konsumatorët përfitojnë në një farë mase, pasi produktet që blejnë janë më të lira nga ç’do të ishin."

Ligji kundër punësimit të imigrantëve të paligjshëm ka ekzistuar qysh në vitin 1986. Ai është zbatuar përmes kontrolleve dhe gjobave kundër bizneseve që punësojnë punëtorë ilegalë. Ekspertët thonë se numri i gjobave ka rënë gjatë gjashtë viteve të fundit. Xhon Kili është drejtor i shtypit në Qendrën për Studimin e Imigracionit.

"Nga 12 milionë ilegalë që qeveria federale llogarit se janë sot në vend, ne besojmë se 7 milionë janë fuqi punëtore. Ne gjithashtu besojmë se rreth gjysma e tyre, 3 presje 5 milionë paguhen me para në dorë, duke mos u shfaqur në borderotë e bizneseve."

Është pikërisht kjo ekonomi e fshehtë që shqetëson shumë qeveri lokale. Kostoja e edukimit të fëmijëve të punëtorëve ilegalë dhe kostoja e shërbimit të tyre shëndetësor bie mbi qeveritë lokale. Kështu, që ato gjithnjë e më shumë po marrin rolin e forcave të rendit.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, të paktën 30 shtete kanë shqyrtuar më shumë se 75 projekt-ligje që kanë në shënjestër imigrantët e paligjshëm dhe ata që i punësojnë. Në Kolorado për shembull, legjislatura e shtetit miratoi kohë e fundit projekt-ligje më të forta të reformës së imigracionit në mbarë vendin. Guvernatori Bill Ouens ka premtuar ta nënshkruajë atë brenda disa ditësh. Ai kërkon kartë identifikimi për çdo qytetar që kërkon shërbim nga qeveria.

"Ne kemi një standart: në se do të marrësh përfitime nga qeveria, duhet të provosh që je qytetar. "

Ka një milionë njerëz në Kolorado që duhet ta provojnë një gjë të tillë. Një masë e tillë është miratuar në Pensilvani, sipas të cilës do t’u hiqet liçensa e biznesit kompanive që punësojnë punëtorë pa dokumenta.

Këshilli i qytetit të Hazeltonit në Pensilvani e bëri anglishten gjuhë zyrtare, megjithë protestat nga komuniteti latin. Hazeltoni gjithashtu padit pronarët dhe bizneset që ndihmojnë imigrantët e paligjshëm të strehonen dhe punësohen. Kryetari i Bashkisë së Hazeltonit Lu Barleta thotë:

"Cilido që është ilegal në qytet duhet të shqetësohet. Për ata që janë këtu në mënyrë ligjore, kjo është shtëpia e tyre, unë jam Kryetari i Bashkisë dhe ky është komuniteti i tyre."

Ekspertët thonë se më shumë se gjysma e imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara paguajnë taksa mbi të ardhurat. Ata shtojnë se ndërsa disa shtete përpiqen të integrojnë imigrantët e paligjshëm në komunitetin e tyre, shumë të tjerë po i shtrëngojnë masat për t'i shkurajuar ata të shkojnë në këto shtete. Cilado qoftë situata, debati për gati 7 milionë punëtorë të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë për shumë kohë.//lk

XS
SM
MD
LG