Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu kërkon të gjithë dokumentacionin e çështjes Sollaku

  • Armand Mero
  • Tiranë

Parlamenti shqiptar vendosi 24 korrikun e shkuar, pas një seance maratonë dhe vetëm me votat e shumicës, t'i kërkojë Presidentit Alfred Moisiu shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Votimi u krye pas një pune dy mujore të komisionit të posaçëm hetimor, ku pati përplasje të mëdha mes përfaqësuesve të shumicës dhe atyre të opozitës. Siç ka ndodhur rëndom në historinë e komisioneve hetimore parlamentare, edhe në këtë rast, pati dy qëndrime.

Shumica e akuzoi Prokuroin e Përgjithshëm për shkelje të rënda të kushtetutës dhe të ligjit duke e bërë atë përgjegjës për më shumë se 80 raste. Ndërsa opozita foli për shkelje në veprimtarinë e komisionit, për një process antikushtetues dhe se nuk ekzistonin rastet që kushtetuta parashikon për shkarkimin e kreut të akuzës.

Në tryezën e presidentit Alfred Moisiu është dërguar vendimi i Parlamentit, si dhe dy raportet që e shoqërojnë atë. Por, kreu i shtetit ka kërkuar që t’i paraqitet i gjthë dokumentacioni mbi të cilin parlamenti është mbështetur në marrjen e vendimit, si procesverbali i mbledhjeve të komisionit, vendimet e marra prej tij, si dhe rregulloren mbi të cilën u mbështet hetimi i kryer. Të gjitha këto, për të krijuar, siç thuhet në njoftimin e sotëm të Presidencës, një gjykim sa më të plotë.

Në njoftim saktësohet se vendimi i presidentit do të mbështetet në Kushtetutën e vendit dhe vetëm pasi të kryejë një verifikim dhe studim të plotë të të gjthë shkaqeve, për të cilat është bërë propozimi për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Kreu i shtetit pritet të tërheqë edhe mendimin e ekspertëve vendas por dhe të huaj, ndërkohë që janë shqyrtuar dhe mënyrat e trajtimit të precedentëve të ngjashëm në vende të tjera.

Krahas materialeve të parlamentit, presidenti Moisiu ka marrë edhe një material voluminoz të paraqitur nga Prokurori i Përgjithshëm, ndërkohë që kjo çështje është tashmë edhe nën shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mbahet mbledhja e parë e KKRT-së dhe KDRT-së

Në Shqipëri, sot u zhvillua mbledhja e parë e strukturave të reja drejtuese të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve dhe Këshilli drejtues të RadioTelevizionit Publik. Në mbledhje, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Mediave, socialistja Valentina Leskaj përsëriti edhe një herë qëndrimin e opozitës për një proces të paligjshëm në hartimin e ligjeve të reja për mediat.

Ajo e konsideroi të tillë edhe votimin e kryer mesnatën e së premtes, për drejtuesit e këtyre dy institucioneve. Por Kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të RadioTelevizioneve, Ledi Bianku, u shpreh se Këshilli do të zbatojë vendimin e parlamentit për zgjedhjen e anëtarëve të vet. Nëse ka kundërshtime për këtë, atëhere palët duhet të ankohen në Gjykatën Kushtetuese – saktësoi Bianku, një nga ekspertët shqiptarë më të njohur të së drejtës evropiane.

Po sot, edhe Këshilli i ri Drejtues i RadioTelevizionit zgjodhi në krye të tij, me shumicë votash, publicistin Fatos Lubonja, i cili u shpreh se "të gjithë anëtarët janë personalitete të zgjedhura nga shoqëria civile dhe kjo është një formulë më e mirë, të paktën teorikisht u shpreh ai pasi gjithmonë është abuzuar me idenë se partitë dhe pushteti kapin shoqërinë civile dhe pastaj kapet televizioni".

XS
SM
MD
LG