Lidhje

Hend: Përplasjet politike në Shqipëri dëmtojnë shanset për integrim në BE


Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri po ndiqen me vëmendje edhe nga opinioni ndërkombëtar. Këto zhvillime, thekson Bob Hand, këshilltar i Komisionit për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, i njohur gjithashtu si Komisioni i Helsinkit, një agjenci dy partiake e qeverisë amerikane, paralajmëron se zhvillime të tilla janë në dëm të ambicjeve të Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian. Ai u bën thirrje forcave politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë të mos përqëndrohen në luftën për kontrollin e institucioneve, por të përpiqen për kompromis për ndërtimin e tyre.

Zëri i Amerikës: Duket se acarimi i gjendjes politike ka marrë një inerci shqetësuese. Çfarë ndikimi mund të kenë këto përplasje në procesin e reformave në Shqipëri?

Bob Hend: Jam i shqetësuar pasi këto përplasje mund ta ndalin ose më së pakti ta ngadalësojnë procesin e reformave, gjë që do të ishte në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Kohët e fundit në Shqipëri pamë unanimitet kur ishte fjala për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por njëkohësisht shohim se Evropa në përgjithësi është më e rezervervuar për idenë e vazhdimit të zgjerimit. Një anketë e fundit në Bashkimin Evropian tregon se edhe nëse Shqipëria e përmbush kriteret, shumë evropianë e kundërshtojnë idenë e përfshirjes së saj në organizatë. Përplasjet politike që kemi parë gjatë javëve të fundit ofrojnë një justifikim të përsosur në Evropë për të gjithë ata që janë kundër integrimit të Shqipërisë. Komisioni i Helsinkit e ka mbështetur idenë e integrimit të Shqipërisë dhe kemi nxitur punën për përmbushjen e kritereve për të arritur integrim. Ne jemi të shqetësuar me vazhdën e ngjarjeve. Ndoshta do të rezultojë se ky është thjesht një proces normal politik në Shqipëri dhe vendi do të vazhdojë të funksionojë pavarësisht nga këto zhvillime. Por Shqipëria është ende në tranzicion dhe gjendja aktuale mund të çojë në ndërlikime. Po ashtu jam i shqetësuar edhe për interpretimin e këtyre zhvillimeve jashtë vendit, nga ata që nuk e mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra, edhe nëse këto zhvillime mund të mos rezultojnë të dëmshme në frontin e brendshëm, në planin praktik politika që po luhet aktualisht në Shqipëri është e rrezikshme.

Zëri i Amerikës: Shumë nga situatat që kanë ngjallur konfliktet aktuale janë rezultat i marrëveshjeve politike të arritura më parë. Si mendoni se kanë ndikuar këto kompromise në qëndrueshmërinë politike në Shqipëri?

Bob Hand: Nuk mund të them me siguri. Fillimisht secila parti ka tendencën të anojë nga bashkëpunimi dhe të tregohet e hapur për kompromise. Me afrimin e zgjedhjeve lokale, duket se gjendja po politizohet dhe në Shqipëri thembra e Akilit ka qenë polarizimi i theksuar i klimës politike. Si rezultat shohim bojkotimin e votave në parlament, nga ana tjetër, forca që ka shumicën në parlament nuk tregohet e gatshme për kompromis gjë vetëm e dëmton të ardhmen e vendit.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se mund të qetësohet gjendja? Çfarë do të këshillonit pozitën dhe opozitën të bënin në këto momente?

Bob Hand: Do t’i drejtohesha së pari pakicës në opozitë. Mendoj se është kundër interesave të tyre të bojkotojnë pjesëmarrjen në procesin politik, apo të nxisin protesta publike, në veçanti duke u përpjekur të gjejnë krahasime me zhvillimet e vitit 1997. Mendoj se veprime të tilla janë në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. Ndërsa shumica mendoj se duhet ta kenë parasysh se megjithëse kanë votat e mjaftueshme për të arritur miratimin e propozimeve të tyre, mund të jetë më me vlerë të përpiqen për arritjen e kompromisit për të siguruar mbështetje dy-partiake për këto propozime, dhe jo ta shohin këtë shumicë votash si mundësi për t’iu kundërvënë opozitës. Kompromisi është thelbi i procesit politik në demokraci. Po ashtu më shqetëson fakti që po i kushtohet kaq shumë vëmendje individëve në poste të ndryshme. Në disa raste proceset dhe kritikat kundër individëve mund të jenë me vend por do të doja të shihja të dyja palët të angazhohen për ndërtimin e institucioneve dhe jo të luftojnë se kush do të zërë postet në këto institucione.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Berisha është akuzuar se po përpiqet të fusë nën kontrollin e tij institucionet. Ai vetë përgjigjet se po i merr masat në kuadrin e reformave. Si e vlerësoni punën e Kryeministrit deri tani?

Bob Hand: E vërteta nuk dihet ende. Kryeministri duhet ta ketë të parasysh shqetësimin se mos ai po shfrytëzon luftën kundër korrupsionit si një armë politike. Ai duhet të tregojë kujdes që as në realitet, dhe as në dukje të mos ndodhë një gjë e tillë. Për këtë arsye do të doja që partia në pushtet të tregohet më e gatshme për kompromis që të tregojë se lufta kundër problemeve në Shqipëri, si krimi apo korrupsioni, duhet të jetë një përpjekje dy-partiake. Pra më shqetësojnë shumë disa nga veprimet e tij, por nga ana tjetër lufta kundër krimit dhe korrupsionit kërkon masa të vështira. E kam të qartë se po bëhen përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele më të ulëta si në radhët e policisë, dhe jemi të gëzuar që ky proces po trajtohet si përparësi e lartë, por kryeministri duhet të tregohet i kujdesshëm për efektin politik të procesit. //ad//

XS
SM
MD
LG