Lidhje

Analisti Dobbins: KS do t'i paraqitet nga fundi i vitit një propozim për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën


James Dobbins, drejtor i Qendrës për Politika të Mbrojtes dhe Sigurinë Ndërkombëtare në fondacionin Rand, dhe ish i dërguar i posaçëm i administratës amerikane në Kosovë, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se ai pret që deri në fund të vitit, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të paraqitet propozimi për një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën.

"Rezultati më i mundshëmn është që Presidenti Ahtisari do të dërgojë një raport në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të rekomanduar një lloj forme pavarësie të kushtëzuar për Kosovën, me garanci të forta për pakicat dhe me mbikqyrje ndërkombëtare. Mendimi im është se çështja e statusit nuk do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit këtë vit. Çështje të tilla zakonisht zgjasin edhe më shumë se sa ç’shpresohet. Por deri në fund të vitit unë do të thoja që para Këshillit të Sigurmit do të ketë një propozim. Bisedimet do të përfundojnë dhe gjithë gjasat janë që vendimi për Kosovën të merret megjithë kundërshtimin e Serbisë. Komentet si ato që bërë kryeministri Koshtunica para disa ditësh, se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova edhe në shkëmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dëmtojnë më shumë aspiratat e Serbisë në rrugën drejt Evropës se sa çështjen e statusit të Kosovës".

Lidhur me qëndrimin e mundshëm të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, zoti Dobbins thotë se ndërsaa ekziston mundësia e një vetoje nga Moska, ai nuk parashikon që kjo të ndodhë.

"Do të varet edhe nga çfarë ndodh në botë. Nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, nga marrëdhëniet mes Presidentëve Bush dhe Putin. Do të ishte një vendim i vështirë për Moskën, por ekziston mundësia që Moska të verë veton dhe në një rast të tillë, Shtetet e Bashkaura dhe Evropa duhej të konsideronin alternativa të tjera. Por po ashtu është e mundur që në fund të fundit Moska ose të votojë pro ose të abstenojë. Çështja e statusit të Kosovës mund të shfrytëzohet në Rusi në dy argumente që përjashtojnë njeri tjetrin. Nga njera anë, mund të thuhet se ajo mund të shërbejë si shembull për Çeçeninë për t’u shkëputur, gjë që Moskës nuk i pëlqen. Nga ana tjetër, vetë Moska mund të argumentojë se në se Kosova bëhet e pavarur, po ashtu mund të bëhet e pavarur edhe Osetia Jugore dhe Abkhazia. Si argumente këto të dyja përjashtojnë njera tjetërn. Por këto janë thjesht, pika negociatash, argumente, jo parime ligjore. Në se rusët paraqesin një argument, pala tjetër mund të japë kundër-argumentin."

XS
SM
MD
LG