Lidhje

SHBA: Ekzistojnë pikpamje të përbashkëta me aleatët kryesorë lidhur me mënyrën për të ndaluar luftimet në Liban

  • David Gollust

Këshilli i Sigurimit shtyu këtë javë për të dytën herë një takim të qeverive, që ofrojnë trupa për një forcë të propozuar ndërkombëtare, që do të dislokohej në Libanin e jugut.

Por zyrtarë të departamentit amerikan të shtetit thonë se shtyrja e takimit, i cili duhej të mbahej sot, nuk do të thotë se ekziston një ngecje në përpjekjet diplomatike lidhur me krizën e Libanit, madje marrja e masave nga Kombet e Bashkuara pritet brënda disa ditësh e jo disa javësh.

Sipas njoftimeve të lajmeve, Franca, e cila ka mundësi të kryesojë forcën e re, ishte kundër mbajtjes së takimit për shkak të mosmarrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara lidhur me një kërkesë të Francës që marrëveshja politike për t’u dhënë fund luftimeve në Liban duhet t’i paraprijë dislokimit të paqëruajtësve.

Por zëdhënësi i departamentit të shtetit, Sean McCormack, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara mbështesin shtyrjen e takimit dhe se mosmarrëveshjet po sheshoheshin në një pikë ku vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit po punojnë për një projekt-rezolutë të përbashkët.

“Në fakt ne jemi tani në një pikë me qeverinë france, ku po punojnë rreth të njëjtit tekst. Kjo nuk do të thotë se nuk ka çështje që duhen zgjidhur, se nuk po zhvillohen diskutime diplomatike të domosdoshme, jo vetëm me palën franceze, por edhe me palët e tjera. Por ne po i afrohemi pikpamjeve konvergjente, një qëndrimi të përbashkët. Ne jemi të një mendimi lidhur me të gjithë elementët kryesorë.”

Franca, e mbështetur nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, ka bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftimeve në Liban, që do të pasoheshin me një marrëveshje për armëpushim të përhershëm dhe një marrëveshje politike, që do të përfshinte edhe çarmatimin e Hezbollahut.

Shtetet e Bashkuara thonë se të gjithë elementët janë të gërshetuar dhe se armëpushimi nuk mund të arrihet derisa Izraeli dhe Libani të bien dakord për një kornizë politike.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Sean McCormack nuk pranoi të jepte hollësi rreth çështjeve që vazhdojnë të negociohen, por tha se ato përqëndrohen kryesisht në kohën dhe rendin e elementëve të ndryshëm.

Një zyrtar i lartë që bëri komente për gazetarët në departamentin e shtetit tha se një kompromis i mundshëm ishte dislokimi i të ashtuquajturës ‘forcë e reagimit të shpejtë’ në Libanin e jugut sapo të arrihet një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Një forcë e tillë, që teknikisht mund të jetë pjesë e misionit të tanishëm për paqe të Kombeve të Bashkuara në Libanin e jugut, do të ndante palët ndërluftuese deri sa të dislokohej një forcë e plotë paqëruajtëse, proces ky që mund të marë disa muaj.

Në një zhvillim tjetër, departamenti amerikan i shtetit kritikoi ashpër zyrtarin e dytë më të lartë të Kombeve të Bashkuara për komentet që bëri këtë javë kur tha se Shtetet e Bashkuara po pengojnë formimin e një force për Libanin, madje duhet të lejojnë vende të tjera të ndajnë rolin udhëheqës në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës.

Zëdhënësi McCormack tha se komentet e zëvëndës-sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Mark Malloch Brown, ishin të papërshtatshme për një zyrtar të rangut të tij.

“Disa prej komenteve të tij, siç u njoftua sot, janë të gabuara dhe të papërshtatshme. Ne po shikojmë një dukuri shqetësuese të përsëritur kur një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara nuk nguron të kritikojë vendet anëtare në një formë të papërshtatshme dhe të gabuar.”

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara e mbrojti zotin Malloch Brown, duke thënë se zëvëndës-shefi i OKB-së ka përgjegjësinë dhe detyrën për të folur hapur lidhur me çështje tepër shqetësuese për vendet anëtare.

Zëdhënësi McCormack tha se administrta e presidentit Bush dëshiron të vzhdojë të ketë marrëdhënie të mira pune me zyrtarin britanik të Kombeve të Bashkuara, por sugjeroi që zoti Malloch Brown t’i përqëndrojë përpjekjet e tij aty ky janë më të nevojshme, në reformimin e Kombeve të Bashkuara. //ze

XS
SM
MD
LG