Policia në Kubë ka shtuar patrullimet dhe po merr masa shtesë sigurie me sa duke për shkak të pasigurisë rreth gjendjes shëndetësore të Fidel Kastros. Zoti Kastro, i cili erdhi në pushtet në vitin 1959, si një udhëheqës i ri revolucionar, u tërhoq të hënën nga funskionet, duke ia kaluar ato të vëllait të tij Raul Kastro, ndërsa iu nënshtrua një operacioni. Rreth gjendjes së tij janë dhënë shumë pak hollësi. Për afro një gjysëm shekulli, populli kubanez po jeton nën komunizëm, një sistem që është diskredituar dhe hedhur poshtë në gjithë botën, me përjashtim të një grupi të vogël vendesh. Lëvizje të majta anti-amerikane në Hemisferën Perëndimore e shikojnë udhëheqësin komunist Fidel Kastro si një burim frymëzimi.
Vetëm dy javë para se t’i trasferonte pushtetin vëllait të tij, Fidel Kastro udhëtoi për në Argjentinë për një takim rajonal të 5 vendeve të Amerikës Latine. Pjesëmarrësit ranë dakort të zgjerojnë tregëtinë me Kubën, megjithë embargon 45 vjeçare amerikane ndaj këtij vendi.
Zoti Kastro dënoi kapitalizmin amerikan dhe mbrojti modelin ekonomik të Kubës gjatë një mitingu anti-amerikan në Argjentinë. Së bashku me të ishte edhe Presidenti i Venezuelës Hugo Chavez. Zoti Chavez i bëri thirrje Amerikës Latine të hedhë poshtë praktikat amerikane të tregëtisë së lirë që sipas tij kanë skllavëruar rajonin. “Ne duhet të bashkojmë popujt tanë në një bllok të madh republikash e vendesh, të bashkohemi politikisht e ekonomikisht, të bashkojmë forcat ashtu, siç kanë bërë Kuba dhe Venezuela”, tha zoti Chavez.
Zoti Kastro e përshëndeti udhëheqësin e Venezuelës gjatë takimit duke thënë se ai e dëgjoi atë sikur të ishte nxënës i tij.
Këtu në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow u pyet në se Presidenti Bush ishte i shqetësuar në se zoti Chavez do të zinte vendin e Fidel Kastros në Amerikën Latine: “Presidenti është i shqetësuar nga ata njerëz në rajon që synojnë të shkaktojnë destabilizime përmes presionit ekonomik ose formave të tjera. Prandaj ne kemi kërkuar gjithmonë tragëti të lirë dhe marrëdhënie të mira me fqinjët”, tha zëdhënësi.
Administrata e Presidentit Bush thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë plan për t’u afruar me Raul Kastron, duke shtuar se ai ka qënë gardiani i burgjeve dhe nuk përfaqëson ndonjë ndryshim në Kubë. Vëllai më i vogël i Fidel Kastros nuk ka imazhin dhe karizmën e vëllait të madh. Wauyne Smith është ish shef i zyrës amerikane në Kubë. Raul Kastro, thotë ai, mund t’i përmirësojë marrëdhëniet e Kubës me vendet e tjera: “Ai është pragmatist, në fakt, Raul Kastro do të jetë shumë i hapur në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara dhe botën se sa vëllai i tij.”
Në Kubë nuk priten ndryshime të papritura. Por disidenti Cuesta Morua thotë se kubanët janë të gatshëm për ndryshime: “Në Kubë po hyn një mantalitet i ri, si psikologjik edhe intelektual. Banorët janë më të gatshëm të mbështesin kërkesat që ka paraqitur opozita politike, kërkesat për ndryshime demokratike, për ndryshisme politike dhe ekonomike.”
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur angazhim për t’i dhënë Kubës ndihma humanitare dhe ekonomike në se në vendin ishull do të ketë ndryshim regjimi. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për Kubën, botuar muajin e kaluar ve në dukje se regjimi i tanishm në Kubë ka punuar me regjime të ngjashme në rajon, veçanërisht me Venezuelën, për të bllokuar çdo presion të jashtëm për ndryshime.