Lidhje

Kosova dhe konfliktet në vendet e mbetura nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik


Ka kaluar një dekadë e gjysmë që nga shpërbërja e Bashkimit Sovietik dhe gjatë kësaj periudhe Jugosllavia u bë shkak për disa konflikte të përgjakshme. Më në fund të gjitha republikat jugosllave fituan pavarësinë dhe aktualisht po zhvillohen negociata për statusin e ardhshëm të Kosovës. Por më në lindje, vazhdojnë ende katër konflikte të periudhës pas-sovietike që kërkojnë zgjidhje.

Provincat gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore shpallën pavarësinë nga Gjeorgjia, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovietik në vitin 1991, duke shkatuar konflikte të përgjakshme në rajon. Me ndërmjetësinë e Rusisë, u arrit një armëpushim midis dy palëve dhe që nga ajo kohë, paqeruajtësit rusë janë vendosur në zonën e konfliktit.

Tensionet e vjetra janë shkallëzuar kohët e fundit në Grykën e Kodorit, pranë Abkazisë, pas dërgimit të forcave speciale nga Gjorgjia për të arrestuar një udhëheqës lokal, i cili kishte shpallur autonominë nga sistemi federal. Muajin e kaluar Gjeorgjia bëri thirrje për të zëvendësuar paqeruajtësit rusë me një forcë policore ndërkombëtare. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Ivanov, u përgjigj duke thënë se trupat paqeruajtëse ruse do të qëndrojnë për ruajtjen e paqes në rajon.

Analisti politik, Janush Bugajski, thotë se refuzimi i Rusisë për të tërhequr forcat nga Gjeorgjia nuk është një suprizë. Ai pohon se Moska mbështet lëvizjet separatiste pro-ruse në shtetet fqinje, me qëllim që të rivendosë ndikimin rus në rajon. “Në të gjitha këto raste, thotë zoti Bugajski, politika ruse ka synuar në nxitjen e konflikteve, lëvizjen e popullsisë nga një zonë në tjetrën dhe vendosjen e regjimeve pro-ruse në këto vende nën maskën e ruajtjes së paqes dhe së fundi qevria ruse ka pretenduar se paqeruajtësit ndodhen atje për të parandaluar shkallëzimin e konflikteve”, thotë analisti.

Megjithë mbështetjen e heshtur të separatistëve pro-rusë në vendet fqinje, Moska ka kundërshtuar me forcë lëvizjet për shkëputje nga ish-Jugosllavia. Rasti i fundit është çështja e Kosovës. Aktualisht janë duke u zhvilluar negociata me ndërmjetësinë e Kombeve të BAshkuara.

Bisedimet e drejtuara nga i dërguari i posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, kanë bërë përparime të pakta. Në qoftë se palët nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të votojë për të ardhmen e Kosovës, e cila do të bazohet tek rekomandimet e zotit Ahtisari. Sipas analistëve ka shumë mundësi që propozimi i zotit Ahtisari të favorizojë një formë pavarësie, duke ruajtur praninë e forcave të NATO-s dhe me garanci ndërkombëtare për pakicën serbe. Për të miratuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit nevojitet vota e të pesë vendeve anëtare të përhershëm. Rusia është përkrahësja më e fortë e Serbisë në Këshillin e Sigurimit. Ekspertët thonë se votimi për pavarësinë e Kosovës, do të jetë një vendim i vështirë për Moskën. Miratimi i saj mund të merret si një precedent për zgjidhjen e konflikteve të pazgjidhura në hapësirën pas-sovietike.

Ish diplomati i lartë amerikan, Xhejms Dobins, ishte i dërguar i posaçëm i presidentit Klinton në Bosnje dhe Kosovë. “Sot mund të argumentohet se në se Kosova mund të shkëputet, në të njëjtën mënyrë mund të shkëputet edhe Çeçenia. Një shembull i tillë nuk i intereson Rusisë. Por nga ana tjetër mund të argumentohet edhe për shkëputjen e Osetisë dhe Abkazisë", shpjegon zoti Dobins.

Analisti Janush Bugajski nga Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare, thotë se në rast se Këshilli i Sigurimit do të votojë mbi pavarësinë e Kosovës, Rusia do të veprojë në shërbim të interesit të saj personal. Shqetësimi kryesor i Moskës lidhet më shumë me rajonin e Kaukazit sesa me Serbinë. “I ashtuqujaturi solidariteti ortodoks mbarësllav është sa për sy e faqe. Këtu kanë rëndësi thjesht politikat pragmatiste ruse. Rusia mund të mendojë se pavarësia e Kosovës mund të jetë në avantazhin e saj, sepse ky argumet mund të përdoret për të ushtruar trysni ndaj Gjeorgjisë dhe Moldavisë, duke i mbajtur këto vende në orbitën e ndikimit rus.” Zoti Bugajski thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e merr fare parasysh kërkesën për pavarësi të Çeçenisë.

Ekspertët perëndimorë pajtohen në përgjithësi se konfliktet pas-sovjetike të pazgjidhura përfshijnë një gamë të gjerë rrethanash dhe duhet të trajtohen secila në veçanti.

XS
SM
MD
LG