Lidhje

Bush: Projekt-rezoluta që po i paraqitet OKB-së synon t'i japë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut


Presidenti e pranoi se si Izraeli edhe Libani do të kenë kundërshtime ndaj disa elementëve të projekt rezolutës. Por siç tha ai, të gjithë janë të një mendimi se diçka duhet bërë, për t’i dhënë fund dhunës.

“Unë e kuptoj se të dyja palët nuk do të jenë dakort me të gjitha aspektet e rezolutës. Por synimi i saj është të forcojë qeverinë e Libanit, në mënyrë që Izraeli të ketë një partner për paqen. Synimi i rezolutës është t’i japë zgjidhje asaj që çoi në këtë gjendje: veprimi i një shteti tjetër, brenda vetë shtetit”.

Gjatë një konference shtypi në Teksas, presidenti theksoi se rezoluta që i është paraqitur Këshillit të Sigurimit, është pjesë e një procesi më të përgjithshëm. Ai tha se ajo do të pasohet nga një rezolutë e dytë, që parashikon krijimin e një force paqeruajtëse, duke krijuar kushtet për një tërheqje të Izraelit nga jugu i Libanit dhe rikthimin e sovranitetit të Libanit, në atë pjesë të territorit të vendit ku është aktiv grupi Hezbollah.

“Është e rëndësishme që të krijohen kushtet për qeverinë e Libanit që të dërgojë forcat e veta, me ndihmë ndërkombëtare, në jug të Libanit, për të mos lejuar grupin Hezbollah dhe ata që e mbështesin, që të krijojë një krizë të re.”

Presidenti Bush tha se përkrahësit kryesorë të Hezbollahut, Siria dhe Irani, duhet të ndihmojnë për t’i dhënë fund luftimeve. Presidenti tha se këto dy vende e dinë qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar lidhur me këtë konflikt.

“Vëmendja është mbi Sirinë dhe Iranin, pasi këto dy vende janë ato që e mbështesin grupin Hezbollah, aktivitetet e të cilit synojnë të krijojnë kaos dhe përmes akteve terroriste të pengojnë përparimin e demokracisë.”

Gjatë fundjavës Presidenti Bush u konsultua edhe me Kryeministrin britanik Toni Bler, por theksoi se gjithë kontaktet me udhëheqësit në Lindjen e Mesme ia ka lënë Sekretares së Shtetit Kondoliza Rajs. Zonja Rajs, u tha sot gazetarëve se ajo ka biseduar me kryeministrat e Izraelit dhe Libanit.

“Ne besojmë se projekt rezoluta formon një bazë të shëndoshë, por pa dyshim që do të dëgjojmë shqetësimet e palëve dhe do të përpiqemi të gjejmë rrugë për zgjidhjen e tyre.”

Zonja Rajs tha se tani do të vazhdojnë konsultime në Këshillin e Sigurimit rreth projekt-rezolutës.

XS
SM
MD
LG