Lidhje

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane bën thirrje për angazhim të plotë të institucioneve të Kosovës para statusit


Presidenti i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare e kësaj Lige, ishin kohët e fundit në Ballkan në kuadër të përpjekjeve të kësaj organizate për të avancuar çështjet shqiptare. Çifti Dioguardi, zhvillon herë pas here takime me kongresmenë dhe senatorë për çështjet shqiptare.

Zoti DioGuardi, ish anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, thotë se në muajt që kanë mbetur deri në fund të vitit, kur pritet të përcaktohet statusi i Kosovës nga udhëheqja shqiptare kërkohet një angazhim total në nivel institucial.

“Qeveria e Kosovës, megjithëse ajo nuk është ende një shtet i pavarur, nuk funksionon ashtu siç duhet. Ajo është një qeveri e orientuar më shumë drejt partive sesa drejt një strategjie institucinale qeveritare për Kosovën. Për këtë çështje ne duhet të flasim me një zë”.

Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, thotë se pala shqiptare në bisedime duhet të jetë gjithnjë e gatëshme për të vlerësuar me largpamësi interesat shqiptare të çastit dhe të perspektivës për ato që do të bjerë dakord:

“Kushtet në terren nuk janë ashtu siç duhet të ishin. Një nga çështjet më shqetësuese është se çfarë do të ndodhë me bisedimet për statusin përfundimtar. Problemi qendron në hollësitë e procesit. Një nga çështjet që mbetet pezull është se për çfarë lloj plani decentralizimi do të firmosin Asambleja e Kosovës dhe grupi negociator. Cila do të jetë forma e statusit të saj përfundimtar dhe çfarë kuptimi do të ketë ai”.

Zonja DioGuardi thotë se në qoftë se detajet do të diskutohen dhe përcaktohen me kujdes, atëhere rezultati do të ishte pozitiv dhe i drejtë. Forma më e pafavorshme është diçka e ngjashme me ndarjen e pushtetit si në Bosnje, ku kompetencat e qeverisë qendore janë tepër të papërcaktuara, praktikisht një qeveri qendrore pa pushtet. Prania e fuqishme federale, thotë ajo, është e domosdoshme.

“Në qoftë se ndokush nënshkruan një marrëveshje që do të lejonte që gjyqësori, ushtria, organet e ruajtjes së rendit, policia të ishin nomenklaturë e komunave dhe jo të qeverisë qendrore, atëhere për fat të keq, komunat serbe do të bëheshin kolona e pestë nën kontrollin e Beogradit. Për mendimin tim Beogradi nuk është shqetësuar kurrë për serbët e Kosovës, Beogradi ka qënë i interesuar për të zotëruar teritorin”.

Zoti DioGuardi e shikon të padobishëm rolin e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Ai thotë se Grupi i Kontaktit mund të kthehet në një mekanizëm kompromisesh mes vendeve që e përbëjnë atë, në dëm të Kosovës.

“Ne nuk kemi nevojë për një grup kontakti. Ajo që duhet është që Shtetet e Bashkuara ta kenë plotësisht të qartë se miqtë tanë me të vërtetë të sinqertë në Ballkan janë shqiptarët. Ata kanë qendruar krahas Shteteve të Bashkuara në Irak dhe Afganistan. Prandaj është në interes të Shteteve të Bashkuara të kenë në Ballkan një partner të fortë në Ballkan, dhe ai partner i fortë, demokratik dhe me prirje perëndimore është populli shqiptar i Kosovës dhe natyrisht i Shqipërisë”.

Departamenti i Shtetit thotë se mbështet procesin e negociatave për statusin e Kosovës dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçm të OKB-së, Presidentit Marti Ahtisari. Sipas zyrtarëve amerikanë statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me negociata, por zgjidhja duhej të ishte e pranueshme edhe nga populli i Kosovës.

XS
SM
MD
LG